Shqipëria eksporton produkte "bio" rreth 3 milionë USD në 2008
Vlera e eksportit të produkteve bujqësore "bio" arriti në rreth 3 milionë USD gjatë vitit 2008, nga 2.5 milionë që ishte në vitin 2007, bëri të ditur Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Rritja e kërkesës së tregut dhe konsumatorit për prodhime bujqësore organike vendase, ka bërë që dhe fermerët të rrisin interesin për të kultivuar këtë kategori prodhimesh, perime apo fruta. Sipas MBUMK-së, sot në shkallë vendi janë rreth 100 ferma BIO, që kanë në shfrytëzim 3500 ha tokë bujqësore. Prodhimet kryesore BIO janë erëzat, bimët medicinale, perimet, rrushi, vaji i ullirit dhe kërpudhat, një pjesë e konsiderueshme e të cilave eksportohet kryesisht në vendet e BE-së. Ekspertët e bujqësisë shprehen se prodhimet bujqësore organike "bio" kanë një treg të garantuar, kjo për shkak të zhvillimit të turizmit dhe rritjes së kërkesës në tregun vendas dhe të huaj, ndaj ky sektor po hyn një stad të ri zhvillimi.