E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria është gati për liberalizimin e vizave, zgjedhjet më transparente në historinë e vendit”

Kryeministri Berisha referon në panelin e fondacionit “Robert Schuman”. Eurodeputeti Eduard Kukan, vlerësime pozitive

Në kuadër të vizitës në Bruksel, Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë në një panel të organizuar në Parlamentin Europian nga fondacioni “Robert Schuman”.
Paneli i organizuar nën kujdestarinë e eurodeputetet Joseph Daule, e moderuar nga kolegu i tij Eduard Kukan dhe nga përfaqësuesi i Fondacionit “Robert Schuman”, Jean Daniel Giuliani u fokusua tek progresi i Shqipërisë në lidhje me liberalizimin e vizave.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u ndal tek zgjedhjet e qershorit, të cilat i cilësoi si një proces të ndershëm e transparent që mori dhe certifikimin e ndërkombëtarëve, dhe dënoi bojkotin e opozitës ,ndërkohë që hyrjet dhe daljet e saj nga parlamenti i cilësoi si një ves të rrezikshëm.
Në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave, projekti europian i shqiptarëve, kreu i ekzekutivit tha qeveria ka përmbushur angazhimet që rrjedhin nga ky proces.
Nga ana e tij eurodeputeti Eduard Kukan tha se Shqipëria ka bërë progres të vërtetë duke plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave, por nga ana tjetër ai tha se bojkoti që socialistët po i bëjnë parlamentit është i papranueshëm për standardet europiane.
“Ne, e pamë vetë se të gjitha kriteret teknike janë përmbushur dhe se Shqipëria është gati për liberalizimin e vizave. Ne urojmë që Komisioni Europian të shprehet sa më shpejt, në mënyrë që Parlamenti Europian ta përmbyllë këtë proces, sepse është një çështje shumë e rëndësishme dhe një hap tjetër shumë i rëndësishëm në rrugën drejt BE-së. Ju, edhe një herë, keni mbështetjen tonë të plotë”, u shpreh zyrtari i lartë i Parlamentit Evropian.
Eduard Kukan u ndal edhe në situatën politike në Shqipëri, për të cilën u shpreh se rruga europiane për të zgjidhur konfliktet dhe çështjet politike është vetëm përmes institucioneve demokratike.
“Rruga europiane për të zgjidhur konfliktet politike dhe çështjet politike, është vetëm përmes institucioneve demokratike dhe proceseve demokratike dhe vendimet e ndërmarra nga këto institucione demokratike duhet të respektohen nga të gjithë politikanët. Bojkoti i parlamentit nuk është mënyra europiane e zgjidhjes së çështjeve politike. Mendoj se mesazhi që unë dhashë është mjaftueshëm i qartë. Do të jetë vërtet me interes për Shqipërinë që e gjithë politika të kryhet me përgjegjësi”, deklaroi eurodeputeti, Kukan.
Vlerësimi për në BE, vetëm në bazë të meritës
Duke marrë fjalën, kreu i qeverisë Berisha falënderoi Fondacionin “Schuman” dhe Presidentin e tij për organizimin e kësaj konference, të cilët, prej shumë e shumë vitesh, janë miq të Shqipërisë.
“20 vjet më parë, shqiptarët, të cilët po dilnin nga dimri i diktaturës më të egër që Evropa ka njohur ndonjëherë, mbushën sheshet dhe rrugët e kryeqytetit e të mbarë vendit me thirrjen: “E duam Shqipërinë si Europa!” Sot, kjo ëndërr mbështetet nga mbi 95 për qind e shqiptarëve, të cilët panë hapin e parë të madh drejt realizimit të saj në vitin 2006, kur Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë shqiptare, tha më tej se kabineti që ai drejton e ka konsideruar dhe e konsideron procesin e integrimit të Shqipërisë në BE si një proces që bazohet kryekëput në performancën, në meritën.
“Njëlloj si procesin e anëtarësimit në NATO, unë kam bindjen më të thellë se edhe procesi i anëtarësimit në BE, duhet bazuar tërësisht në meritën, performancën, implementimin e një universi të tërë të reformave të thella politike, ekonomike, sociale, arsimore, kulturore, të gjithanshme”, tha Berisha.

Hyrje-daljet e opozitës, një ves i rrezikshëm
Kryeministri u ndal gjerësisht në fjalën e tij në rezultatet e arritura në disa nga fushat parësore, gjatë kësaj periudhe. Fillimisht, Kryeministri Berisha bëri një vlerësim të zgjedhjeve të fundit parlamentare në vend.
“Zgjedhjet kanë qenë një problem themelor për vendin tim. Më 28 qershor 2009, Shqipëria pati zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat u zhvilluan pas vendosjes së sistemit dixhital të Regjistrit të Gjendjes Civile, duke dixhitalizuar 14 mijë regjistra të kësaj zyre, prodhimit të listave elektronike të votuesve dhe të Kartave të Identitetit elektronike të të gjithë votuesve. Bashkë me opozitën kemi votuar të gjitha propozimet e saj për sistemin zgjedhor, Kodin Elektoral, KQZ-në. Zgjedhjet e 28 Qershorit 2009, u vëzhguan nga mbi 5 mijë vëzhgues vendorë dhe nga 510 vëzhgues te OSBE/ODIHR dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare. OSBE/ODIHR doli në përfundimin se këto zgjedhje kanë përmbushur standardet kryesore të zgjedhjeve dhe konkluduan se nuk pati asnjë provë për manipulim rezultati apo numërim të parregullt. Zgjedhjet e 28 qershorit, janë zgjedhjet e para në historinë e vendit, ku të gjitha proces-verbalet, tabelat e rezultateve dhe çdo dokument tjetër të të gjitha qendrave të votimit (gjithsej 4573), përveçse në katër prej tyre, u firmosën nga të gjithë komisionerët e pranishëm në votim. Rezultati i tyre u certifikua 7 me 0 nga të gjithë anëtarët KQZ-së, të zgjedhur nga pozita dhe opozita, në mënyrë konsesuale. Kjo, sepse ato ishin unike në transparencën e tyre, ku çdo komisioner dhe çdo vëzhgues, në procesin e numërimit, kishte të drejtën e vetos në kundërshtinë e tij. Dhe gjatë numërimit, çdo votë u filmua, u fotografua dhe transmetua ‘live’ në ekrane të gjerë në qendrën e numërimit dhe në kohe reale në KQZ. Por, pavarësisht kësaj, kryetari i opozitës ka vendosur të bojkotojë parlamentin. Ai thënë se ka dokumente për t’ia paraqitur ndërkombëtarëve, por OSBE/ODIHR ka thënë se nuk ka asnjë provë për manipulim. Më vonë, ai ka thënë se e njeh rezultatin, por kërkon rinumërimin e votave. Kjo kundërshtohet nga gjykatat. Gjykata e Apelit e ka kundërshtuar gjithashtu dhe ka thënë se nuk mund të ketë rinumërim të votave, kur nuk ka pasur kontestime gjatë procesit të numërimit. Unë jam plotësisht i angazhuar të trajtoj të gjithë problematikën e zgjedhjeve, përveç vendimeve të gjykatave. Ajo çfarë ne u sugjerojmë është që nëse ju keni prova dërgojini në prokurori. Ne nuk mund të bëjmë rolin e prokurorit. Opozita hyri në parlament, por tani hyn e del. Por mazhoranca është plotësisht e angazhuar të bashkëpunojë me opozitën dhe ju siguroj se do të bëjmë gjithçka për të bashkëpunuar me të”, deklaroi kryeministri Sali Berisha.
Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, shefi i ekzekutivit vuri në dukje se heqja e vizave është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kryeministri falënderoi përfaqësuesit e Parlamentit Europian, Komisionit Europian, të gjithë ata që na kanë inkurajuar në këtë proces.
“Procesi i vizave, është përdorur nga qeveria që unë drejtoj për të transformuar vendin tim. Jam i nderuar të jem në krah të zotit Kukan, i cili ka vizituar Shqipërinë tre javë më parë dhe ka parë në vend të gjitha arritjet nga kontrolli i kufijve, qendrën e prodhimit të dokumenteve të identifikimit, të cilat po prodhohen sipas parametrave të vendeve evropiane”, tha kryeministri Berisha.

Në vitin e krizës ekonomike, Shqipëria performacë pozitive
Në fjalën e tij, kryeministri Sali Berisha u përqendrua edhe në masat e ndërmarra dhe rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar, në luftën kundër korrupsionit, në reformat e thella ekonomike dhe fiskale për funksionimin e ekonomisë së tregut.
Viti i kaluar, theksoi Kryeministri, shënoi krizën më të rëndë ekonomike, financiare botërore, që pas Depresionit të Madh. Natyrshëm, Shqipëria i ndjeu pasojat e kësaj krize, por sidoqoftë, në dallim nga trendi europian dhe i shumicës së vendeve të rëndësishme për ekonominë globale, Shqipëria pati një performancë pozitive ekonomike.
Në nisje të vizitës së tij në Bruksel, kryeministri Berisha ishte relator në konferencën e organizuar në Parlamentin Europian, posaçërisht për nder të tij, nga Fondacioni “Robert Schuman” dhe Presidenti i këtij fondacioni, Jean-Domenique Giuliani.
Në konferencën me temë “Shqipëria drejt Bashkimit Europian, një rrugë mbi meritën” merrte pjesë edhe Joseph Daul, President i grupit parlamentar të Partisë Popullore Europiane dhe Eduart Kukan, kryetar i Delegacionit për Europën Juglindore në Parlamentin Europian.
Në nisje të Konferencës, Presidenti i Fondacionit, Giuliani falënderoi Kryeministrin Berisha që pranoi të merrte pjesë në këtë panel të rëndësishëm, për t’u bërë me dije eurodeputetëve të pranishëm në konferencë vizionin tij dhe të qeverisë shqiptare për integrimin e Shqipëri në Bashkimin Europian dhe për hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare në këtë drejtim.
Në mbyllje të fjalës, Kryeministri Berisha u ndal në rëndësinë dhe në dorëzimin e përgjigjeve të Pyetësorit. Berisha vlerësoi si një hap të rëndësishëm përpara në rrugëtimin e Shqipërisë e kombit për rikthimin në familjen e tij europiane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›