E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria fiton një pozicion në FIFA



Shqipëria u ngjit me 1 pozicion në renditjen botërore mujore të FIFA-s, të publikuar dje në faqen zyrtare (fifa.com), duke u pozicionuar tani në vendin e 79-të nga vendi i 80-të që ishte në klasifikimin paraardhës. Përfaqësuesja e Shqipërisë nuk ka grumbulluar asnjë pikë në renditjen e muajit maj, pasi ndeshja e së martës ndaj Malit të Zi do të llogaritet në renditjen e muajit të ardhshëm. Në renditjen specifike të UEFA-s, Shqipëria ndodhet në vendin e 39-të midis 53 ekipeve kombëtare që aderojnë në Konfederatën Kontinentale, duke mos ndryshuar renditje. Kundërshtarja e miqësores së radhës së Kombëtares shqiptare në 2 qershor, Andorra, renditet në vendin e 201-të në FIFA dhe në vendin e 52-të, ose të parafundit në UEFA. Për sa u përket kundërshtarëve të Kombëtares shqiptare në grupin D për eliminatoret e Kampionatit Evropian, Franca ndodhet në Top-10 më të mirat e botës, duke ngjitur 1 vend nga muaji i kaluar, tani është e 9-ta në FIFA dhe e 7-ta në UEFA. Rumania, kundërshtarja jonë e parë zyrtare, ndodhet në vendin e 28-të, duke mos ndryshuar pozicion në FIFA dhe është po e 17-ta në UEFA. Bosnja gjendet në vendin e 51-të, duke mos ndryshuar pozicion në FIFA, dhe është e 29-ta në UEFA. Bjellorusia gjendet në vendin e 82-të, duke zbritur 1 vend në FIFA, ndërsa është e 40-ta në UEFA, duke u gjendur kështu pas Shqipërisë. Ndërsa Luksemburgu renditet në vendin e 127-të, duke mos ndryshuar renditje në FIFA dhe është i 48-ti në UEFA.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›