Usain Bolt thyen edhe rekordin e 200m

"Djaloshi-mrekulli", "njeriu më i shpejtë në planet", "biri i erës'. Xhamajkani 21-vjecar Usain Bolt i meriton të gjitha këto epitete. Të mërkurën ai vendosi një rekord të ri botëror në garat e shpejtësisë, duke vendosur kohën e re në 200 metra me 19"30 sekonda, duke thyer kështu rekordin 12-vjecar të mbajtur nga një kampion i madh si Majkëll Xhonson.
Bolt u bë njeriu i parë në botë që thyen dy rekorde në 100 metra e 200 metra brenda një Olimpiade. Përvec Karl Luisit në vitin 1984 askush tjetër nuk kishte arritur të fitonte në Lojërat Olimpike garat e 100 dhe 200 metrave.
Specialistët e parashikonin performancën e jashtëzakonshme të "Supermenit" Bolt, pasi ai bëri një paraqitje jashtëtokësore kur theu rekordin e 100 metrave në kohën 9"69. Por, ndryshe nga gara e 100 metrave kur Bolt humbi disa të dhjetat të cmuara, pasi ngadalësoi ritmin duke festuar para përfundimit të binishit, në garën e 200 metrave, Usain nuk festoi derisa ai kaloi finishin.
Xhamajkani bëri një galop të fuqishëm duke lënë gati pesë metra ndjekësin e tij më të afërt, duke mahnitur të gjithë shikuesit në "Folenë e zogut". Është e natyrshme që ta quash atë "Njeriun më të shpejt në botë", por Bolt mund të jetë sprintieri më i madh i të gjitha kohërave.
Menjëherë pas Lojërave Olimpike të Pekinit, më 29 gusht Usain Bolt do të vrapojë në 100 metra në "Golden League" në Zyrih të Zvicrës. Lajmin e dha menaxheri i atletit xhamajkan, Riki Sims. Bolt ka në program edhe dy kompeticione të tjera në fillim të muajit shtator: më 2 shtator në "Super Grand Prix" në Lozanë të Zvicrës në 200 metra dhe më 5 shtator në "Golden League" në Bruksel në garën e 100 metrave.