Bogdani, një hap larg Lacios

Bogdani një hap larg Lacios. Presidenti Lotito ka zgjedhur shqiptarin për sulmin, ndërkohë që dhe Kievo është bindur për ta lënë lojtarin. Bogdani është zgjedhur si alternativa më e mirë për të zëvendësuar Tomaso Rokin e dëmtuar. Vetë lojtari i Kombëtares shqiptare ka dhënë miratimin e tij për transferimin, por dhe klubi i tij është dakord me largimin e tij. Drejtori sportiv i Kievos, Sartori, mund të marë shërbimet e nigerianit Makinua, i cili është shumë i vlerësuar nga trajneri i Kievos, Iakini. "Kështu, - shkruan faqja italiane sportsland.net, - bardhekaltërit kalojnë nga Tare te Bogdani, nga një qendërsulmues shqiptar te tjetri".
Pak ditë më parë gazeta "Il Giornale" theksonte: "Duke parë faktin që paratë në shtëpinë e Lacios janë të pakta, zgjedhjet janë të kufizuara. Ju pëlqen shqiptari Erjon Bogdani, i cili nuk i entuziazmon tifozët por është përballueshëm nga pikëpamja ekonomike". Aktualisht Bogdani fiton rreth 950 mijë euro me Kievon, ku është rikthyer pas huazimit te Livorno, klub ku shqiptari ishte lojtari i dytë më i paguar.
Nëse do të transferohej do të kryhej (tashmë cështje orësh), Bogdani do të ishte lojtari i katërt shqiptar që do të luante për fanellën bardhekaltër, duke futur në këtë llogari Loro Boricin (gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore), Igli Taren (tashmë drejtor teknik te Lacio) e kosovarin me pasaportë zvicerane Valon Behrami (i transferuar në Angli te Uest Hemi. Për Bogdanin, Lacio do të ishte klubi i tij i gjashtë në Itali, pas Rexhinës (Seria A), Salernitanës (Seria B), Veronës (Seria B), Sienën (Seria A), Kievos (Seria A) e Livornos (Seria A). Në Itali Bogdani ka luajtur deri tani 239 ndeshje, duke realizuar 56 gola, 2 prej të cilëve në sezonin e fundit të luajtur si i huazuar te Livorno.
Bogdani ka luajtur në Shqipëri me Partizanin (62 ndeshje, 21 gola), ka luajtur edhe me Genclerbirlixhi në Turqi (11 ndeshje, 1 gol) si dhe me NK Zagrebin në Kroaci (26 ndeshje, 8 gola) nga ku arriti dhe të transferohej në Itali te Rexhina, në janar të vitit 2000.
Për herë të parë pas tre vjetësh, qysh nga ndeshja kundër Ukrainës (2005), Erjon Bogdani nuk është thirrur me Kombëtaren e Shqipërisë nga trajneri Ari Han për ndeshjen me Lihtenshtejnin, edhe pse ai ishte në ndeshjen miqësore kundër Polonisë.