Shqipëria, gati për kampin në Kosovë

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) i ka bërë të gjitha përgatitjet për kampin që do të organizohet në Kosovë, në të cilin do të kërkohen talentë për grupmoshat e Kombëtares U-17 dhe U-19. Ky kamp do të fillojë sot dhe do të mbahet në stadiumin e KEK-ut në Kastriot.
Përzgjedhësi i Kombëtares U-17, Dzemal Mustedanagiq dhe ai i U-19, Foto Strakosha do t’i testojnë plot 60 futbollistë nga Kosova, Maqedonia e diaspora. Përfaqësuesit e FSHF-së për Kosovë, kanë bërë të ditur se tashmë është gjithçka gati për nismën e punës në këtë kamp dhe ndihen të kënaqur me numrin e të interesuarve.
“Do të mbahet një kamp me dy grupmosha. Më 9-10 prill do të grumbullohet grupmosha U-17, kurse më 11-12 ajo U-19. Tek U-17 pritet të marrin pjesë 28 lojtarë, ndërkaq tek U-19, 32”, ka thënë për Express, Jetmir Salihu, përfaqësues i FSHF-së për Kosovë.
Futbollistët do të akomodohen në një hotel në periferi të Prishtinës. Ky kamp pritet të përcillet nga afër edhe nga përzgjedhësi i Kombëtares A, Gianni De Biasi. Kampi pritet t’ia fillojë punës sot rreth orës 13:00.