Shqipëria hap zyrtarisht ambasadën e saj në Indi
Tirana zyrtare hap zyrtarisht përfaqësinë e saj diplomatike edhe në Indi. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, u nis dje për një vizitë 3-ditore në Republikën e Indisë, ku do të hapë zyrtarisht ambasadën shqiptare. Këtë lajm e bëri të ditur zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme. Kjo është vizita e parë e këtij niveli që zhvillohet në marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve. Gjatë kësaj vizite, ministri Basha do të zhvillojë takime me homologun e tij indian, Pranab Muhjerjee, zyrtarët më të lartë të vendit, si dhe me përfaqësues të biznesit indian. Temat kryesore të bisedimeve që do të zhvillojë ministri Basha do të jenë bashkëpunimi dypalësh dhe shumëpalësh ndërmjet të dy vendeve, si dhe zhvillimet në politikën ndërkombëtare rajonale dhe globale. Ministri Basha do të zhvillojë gjithashtu një vizitë në Selinë e Urdhrit të Nënë Terezës në Kalkuta, si dhe do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Nju Delhi. Në këtë vizitë, ministri Basha shoqërohet nga zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo, dhe përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe Konfindustrisë.