Poliçani bëhet gati për demontimin e municioneve
Ka përfunduar pa më të voglin incident eliminimi i sasisë së lëndëve helmuese të mbetura në Uzinën e Armëve në qytetin e Poliçanit. Banorët e këtij qyteti, sidomos atë që jetojnë shumë afër uzinës janë zgjuar të shqetësuar dje pas njoftimit të shpërthimit të lëndëve të rrezikshme. Kanë qenë banorët e lagjes "Kalluç", banesat e të cilëve ndodhen vetëm disa metra larg kombinatit, të cilët kanë përjetuar momente të vështira gjatë paradites dhe 150 banesat e kësaj lagjeje janë braktisur krejtësisht. Uniforma blu, forca të shumta policie kanë bllokuar rreth orës 10:00 rrugën kryesore në hyrje të uzinës, duke ndaluar qarkullimin e mjeteve dhe të këmbësorëve. Forcat e ushtrisë kanë krijuar një kordon në hyrje të uzinës ku ndodheshin dhe tri depot me lëndët iniciale ku u bë dhe shpërthimi. Në ambientet e jashtme të uzinës kanë qëndruar në gatishmëri të plotë autoambulancat dhe mjetet zjarrfikëse. Për të ndjekur nga afër procesin e shpërthimit të lëndëve kanë qenë dje në Poliçan edhe ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Maksim Malaj, përfaqësues të ambasadës amerikane, si dhe pushtetarë lokalë. Forcat e ushtrisë kishin organizuar punën që në orët e para të mëngjesit, duke minuar tri depot e sektorit C, në të cilat ndodheshin të trashëguara që nga koha kur në uzinë prodhoheshin armë dhe municione 113 kg lëndë iniciale si zhivë fulminante dhe përbërës të tjerë. Ministri Oketa dhe shefi i shtabit të përgjithshëm, Malaj, kanë ndjekur shpërthimin nga një kodër e këtij qyteti, pasi janë informuar fillimisht rreth procesit. Kështu, në orën 10:00 është dëgjuar shpërthimi i depos së parë ku veç zhurmës së krijuar është parë dhe një re e madhe tymi. Por, gjithçka është qetësuar brenda pak minutave, pasi reja e tymit është shpërndarë në ajër pa iu afruar qytetit. Më pas me një distancë prej pesë minutash janë dëgjuar dhe dy shpërthime të tjera, por që kanë krijuar më pak zhurmë dhe më pak tym. Sipas specialistëve të ushtrisë, shpërthimi ishte mënyra më e mirë dhe efikase për eliminimin e sasisë së lëndëve të rrezikshme. Shpërthimi i tyre brenda depove në të cilat ndodheshin mësohet se nuk do të ketë aspak pasoja për ambientin në qytetin e Poliçanit, pasi sasia e helmit nuk ishte e madhe dhe ajo ndodhej prej vitesh e depozituar dhe nga vitet ka humbur vetitë e saj. Pas përfundimit të procesit, ministri Oketa është shprehur se tashmë është fillimi i punës në Kombinatin Mekanik të Poliçanit për demontimin industrial të municioneve luftarake, i bashkërenduar edhe me atë të Kombinatit të Mjekësit, duke u nisur edhe nga fakti se tashmë Forcat e Armatosura Shqiptare kanë në dispozicion tetë poligone për asgjësimin në natyrë të municioneve, do të bëjë të mundur që plani i veprimit që ka hartuar Ministria e Mbrojtjes për asgjësimin e këtyre municioneve të vihet në zbatim në të gjitha pikat e tij. Ministri Oketa ka siguruar se brenda Kombinatin Mekanik të Poliçanit nuk ka më asnjë zonë tjetër të rrezikshme ku mund të ketë shpërthime të pavullnetshme.