E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amendamentet e LSI për Kodin Zgjedhor

Lëvizja Socialiste për Integrim bëri dje publike amendamentet për Kodin Zgjedhor. Drafti i propozuar nga kjo parti parashikon ndërhyrje në tre nene të ligjit elektoral. Konkretisht, "operacioni" i parë ka të bëjë me nenin 14 që flet për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kuvendi i Shqipërisë zgjedh anëtarët e KQZ sipas procedurës ku tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e shumicës parlamentare dhe tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e opozitës parlamentare. Kandidaturat e propozuara i paraqiten Kuvendit për miratim. Votimi për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së, sipas këtij, neni zhvillohet në një ditë të vetme. Sakaq, renditja e partive sipas përcaktimeve të këtij neni, bëhet mbi bazën e numrit të mandateve që ka fituar partia politike në zgjedhjet pararendëse për Kuvend. Ndërhyrja tjetër ka të bëjë me nenin 29 që flet për përbërjen e Komisioneve Zgjedhore të Administrimit Zgjedhor. Në pikën 1, fjalia e parë e germës "a" kërkohet të ndryshojë si më poshtë: KZAZ përbëhet nga 7 anëtarë dhe sekretari, të cilët emërohen nga KQZ. Tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia, e dytë dhe e tretë e shumicës parlamentare dhe tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e opozitës parlamentare. Kjo mënyrë e zgjedhjes së anëtarëve të KZAZ-ve të respektohet dhe për zgjedhjen e anëtarëve të KQV-ve dhe GNV, duke respektuar ndryshimet në nenet 36 dhe 95/2 të këtij Kodi. Propozimi i fundit ka të bëjë me nenin 163 të Kodit Zgjedhor që parashikon ndarjen e mandateve brenda koalicionit. LSI kërkon që pika 2 e këtij neni të ndryshojë në një formulim tjetër. Numri i votave të vlefshme të secilës parti, pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë të njëpasnjëshëm të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon dyfishit të numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse. Në rast se herësi që përfitohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Pavarësisht propozimeve të djeshme të LSI-së nuk dihet ende se cili do të jetë fati i këtyre amendamenteve. Partia Socialiste është shprehur qartë se nuk pranon të diskutohet asnjë amendament jashtë neneve për të cilat Presidenti ktheu mbrapsht ligjin në Kuvend. Sakaq, përfaqësuesit e Partisë Demokratike ia kanë lënë vullnetit politik mundësinë e ndërhyrjeve të tjera në ligjin elektoral.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›