E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafa: Presidenti gaboi. Kthimi i Kodit sjell vetëm probleme

Pas miratimit në Kuvend për rimbledhjen, Komisioni i Reformës Zgjedhore ka nisur dje punën për të shqyrtuar dekretin e Presidentit të Republikës. Që në mbledhjen e parë, opozita nuk i ka kursyer kritikat ndaj Presidentit të Republikës, duke deklaruar se arsyetimi i tij për kthimin e Kodit Zgjedhor në Kuvend është i gabuar. "Dekreti i Presidentit nuk është gjë tjetër veçse një pretekst, pasi duke shfrytëzuar të drejtën e vetos për ta kthyer ligjin, ai solli sot një pasojë shumë të madhe. Sot ne kemi një situatë tjetër. Nuk mund të themi më se Kodi Zgjedhor është në kohën optimale për procesin elektoral. Përkundrazi, në këtë aspekt, dekreti i Presidentit për kthimin e Kodit Zgjedhor ka luajtur një rol negativ, pasi ka futur të gjithë procesin në ngërç dhe ka krijuar mjaft probleme", është shprehur bashkëkryetari Xhafaj. Sipas tij, zgjatja e procesit të rishqyrtimit të Kodit Zgjedhor vë në pikëpyetje integritetin e procesit elektoral, pasi tejkalohen afatet për realizimin e disa detyrimeve. Bashkëkryetari socialist ka theksuar se opozita nuk do të lëshojë pe gjatë punës së këtij komisioni duke theksuar se ai u ringrit mbi bazën e vendimit të seancës plenare dhe objekti i punës së tij është shumë i kufizuar, pasi ka si detyrë që të shqyrtojë vetëm dekretin e Presidentit të Republikës për kthimin e Kodit Zgjedhor dhe pretendimit e LSI-së nuk gjejnë vend për diskutim në objektin e punës së komisionit. Duke dhënë argumentet e tij, Xhafa ka deklaruar se tashmë procesi ka hyrë në një fazë serioze me probleme në mënyrën e funksionimit të tij. Ai ka sqaruar se rrezikohen afatet optimale për realizimin e një sërë detyrimesh që vendos Kodi, për ta bërë procesin sa më efektiv. Kemi, tha Xhafa, një sërë elementesh të rëndësishme siç janë formatimi i KQZ-së, sepse nëse zgjatet ky proces atëherë krijohen vonesa në nxjerrjen e udhëzimeve përkatëse nga ky institucion, të cilat minimalisht duhet të bëhen 6 muaj përpara zgjedhjeve. Gjithashtu, thekson bashkëkryetari socialist, krijohen probleme në nxjerrjen e akteve nënligjore për kartat e identitetit, për listat e zgjedhësve dhe një sërë problemesh të tjera që vënë në pikëpyetje integritetin e procesit. Ndërkohë që deputeti i LSI-së, Spartak Braho, ka deklaruar edhe njëherë që dy partitë e mëdha PD-ja dhe PS-ja duhet të marrin në shqyrtim propozimet e tyre dhe si për ta zyrtarizuar deklaratën LSI-ja ka hartuar dhe depozituar pranë komisionit amendamentet e saj. Pak ditë më parë, Presidenti Topi ktheu, me dekret, në Kuvend Kodin, duke kritikuar dy prej neneve të tij që kishin të bënin me periudhën e mbajtjes së zgjedhjeve. Kritikë, e cila u pranua nga Kuvendi dhe në seancën e ditës së hënë, ku me shumicë votash deputetët kanë riaktivizuar edhe njëherë Komisionin e Reformës Zgjedhore, i cili do të marrë në shqyrtim dekretet për t‘ia kaluar më pas për votim Kuvendit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›