E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeprokurorja shkel pas 6 muajsh në Kryeministri

Kryeprokurorja Ina Rama rikthehet pas 6 muajve në godinën e Kryeministrisë. Nuk bëhet fjalë për ndonjë pritje të veçantë nga Kryeministri, por për mbledhjen e komitetit kombëtar të bashkërendimit të luftës kundër pastrimit të parave ku ishte e pranishme edhe shefja e organit të akuzës. Të pranishëm në këtë takim ishin ministra të qeverisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, Kryeprokurorja Ina Rama, drejtues të institucioneve anëtare në komitetin kombëtar të bashkërendimit të luftës kundër pastrimit të parave.

Gjatë kësaj mbledhjeje, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, çdo institucion raportoi mbi masat e marra në zbatim të programit kombëtar "Për kontrollin e lëvizjes së monedhës cash në Republikën e Shqipërisë". Gjithashtu, u diskutua mbi bashkërendimin ndërinstitucional në luftën kundër pastrimit të parave, si dhe në mundësinë e ndërhyrjes në bazat e të dhënave të organeve shtetërore dhe regjistrat publikë nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, si dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar në kuadër të programeve të binjakëzimit. Në mënyrë më specifike, pjesëmarrësit diskutuan mbi fuqizimin e strukturave që luftojnë pastrimin e parave, trajnimin e stafit bazuar mbi ekspertët dhe eksperiencën më të mirë ndërkombëtare, si dhe fuqizimin e rrjetit të IT-së dhe përdorimin e tij sa më gjerësisht në luftën kundër pastrimit të parave. Kryeministri u kërkoi pjesëmarrësve angazhim të madh në këtë luftë të vështirë, duke e cilësuar pastrimin e parave një fenomen tejet të rrezikshëm, një autostradë të krimit. Kryeministri theksoi se krimi nuk luftohet me sukses pa një luftë të vendosur ndaj pastrimit të parave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›