E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërrin në Kuvend ligji për prokurorinë

Pas shumë muajve debate, projektligji për organizimin dhe funksionimin e organit të prokurorisë ka mbërritur në duart e deputeteve të Kuvendit. Projektligji përbëhet nga 33 nene dhe në nenet 3 dhe 4 janë përcaktuar koha e mandatit të kryeprokurorit dhe detyrat e kryesore të tij. Sipas këtij projektligji, Prokurori i Përgjithshëm qëndron në detyrë për 5 vjet me të drejtë riemërimi. Por neni që kundërshtohet më shumë nga opozita, është neni 4, i cili kufizon kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm, duke e lënë në varësi të ministrit të Drejtësisë. Neni 4, pika "b", thuhet se Kryeprokurori i propozon Presidentit të Republikës, numrin e përgjithshëm të prokurorëve, pasi të ketë marrë mendimin e ministrit të Drejtësisë, si dhe përcakton numrin e prokurorëve për çdo prokurori përfshirë edhe Prokurorinë e Përgjithshme. Gjithashtu, pika ‘ll‘ e këtij neni, thotë se kryeprokurori, i dërgon ministrit të Drejtësisë, të dhënat statistikore të ndjekjes penale, për hartimin e statistikës së njësuar në fushën e drejtësisë. Ndërsa ndryshimet e paraqitura në nenet 6 dhe 7 të projektligjit, kanë të bëjnë me këshillin e prokurorisë. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve, është riformatuar përbërja e tij, ku synohet që Presidenti i Republikës nëpërmjet përfaqësuesit të tij, të ketë vetëm rolin e anëtarit vëzhgues në Këshill, me të njëjtat të drejta me ato të anëtarëve të tjerë të këshillit të prokurorisë, por pa të drejtë vote. Në ligj propozohet të jepet edhe një spektër i përbërjes së këshillit të prokurorisë nga radhët e prokurorëve duke synuar që në përbërje ky këshill të ketë përfaqësues nga të gjitha shkallët e hierarkisë në prokurori. Në nenet 8 dhe 9 të projektligjit thekson se burimi kryesor i gjeneratës së re të prokurorëve do të jetë shkolla e Magjistraturës. Neni 10 i projektligjit rregullon dhe përcakton procedurën e emërimit dhe kushtet e karriges së prokurorit. Në nenin 13 parashikohet një institut i rëndësishëm, i cili deri më tani ka pasur një rregullim fakultativ nga Prokurori i Përgjithshëm. Pezullimi nga ushtrimi i detyrës së prokurorit, nuk do të varet nga vullneti subjektiv i një individi, por siç parashikohet në projektligj, do të jetë një procedurë automatike ligjore. Së pari, procedura e pezullimit është e rëndësishme dhe nuk ndikon në pavarësinë e prokurorisë, sepse mbetet brenda sistemit të prokurorisë pra parakusht është marrja në cilësi e të pandehurit po nga vetë prokurorët sipas Kodit të procedurës penale si të gjithë shtetasit e tjerë. Së dyti, një prokuror që merret i pandehur për shkakun ligjor të parashikuar dhe të rrezikshmërisë së kryerjes së veprës penale, është e pamundur të vazhdojë të ketë statusin për të marrë njëkohësisht të pandehur shtetas të tjerë. Gjithashtu, në projektligj propozohen dhe ndryshime të tjera, të cilat sipas mazhorancës janë bërë duke pasur parasysh dhe sugjerimet e misionit EURALIUS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›