Shqipëria ia realizon ëndrrën

Futbollisti nga Tërnoci, Arbnor Fejzullahu kohë më parë kishte refuzuar një ftesë nga Federata e Futbollit e Serbisë që t’i bashkohej përfaqësueses së U18 të këtij vendi.
Talenti nga Kosova Lindore u kishte thënë JO serbëve, pasi ëndërr e 18 vjeçarit ishte paraqitja me ekipin kuqezi. Ëndrra e Fejzullahut shpejt u bë realitet. Ai u ka rënë në sy përgjegjësve të ekipit U-19 të Shqipërisë, pas një grumbullimi që ishte mbajtur në Kamëz gjatë muajit gusht me talentet që luajnë jashtë Shqipërisë.
Futbollisti nga Tërnoci ka shkëlqyer në këtë grumbullim dhe është veçuar në mesin e 30 talentëve shqiptarë. Madje zyrtarët e Federatës shqiptare të Futbollit (FSHF) menjëherë kanë nisur procedurën për pajisjen e Fjezullahut me shtetësi shqiptare.
Fejzullahu, i cili gjatë kësaj vere është transferuar te Besa e Kavajës, pas eksperiencës që e pati me KF Tërnoci, ndihet me fat që u veçua ndër talentet e shumtë shqiptarë në kamp, ndërsa tregon edhe objektivat që ka në nivelin kombëtar.
“Gjatë një grumbullimi që ishte mbajtur në muajin gusht, unë u rashë në sy trajnerëve nga 30 talente sa ishin prezentë. Tash më ftuan sërish në një grumbullim tjetër. Është ndjenjë shumë e mirë për mua të jem pjesë ekipit U-19 të Shqipërisë. Shpresoj të luaj rregullisht me këtë kategori për të vazhduar më pas në ekipin e shpresave dhe në fund në Kombëtaren A”, deklaroi Fejzullahu për Express.
Ai tregon se shumë shpejt do ta marrë pasaportën shqiptare, pasi që ajo është në procedurë e sipër. Nëse çdo gjë shkon sipas planifikimit, Fejzullahu mund të paraqitet për Shqipërinë U-19 në eliminatoret për Evropian të kësaj kategorie më 3 tetor.
Zyra e talenteve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, muajve të fundit ka nisur një aksion për afrimin e talentëve të rinj shqiptarë që luajnë nëpër ekipe të ndryshme evropiane
Gjatë këtyre grumbullimeve janë zbuluar disa talentë e sidomos ata me prejardhje nga Kosova, të cilëve u është mundësuar që menjëherë të luajnë me grupmoshat e ekipit kuqezi.