Gati për Nurnbergun

Albert Bunjaku do të rikthehet më në fund. Sulmuesi kosovar do t’i ndezë ‘motorët’ të shtunën në ndeshje me Werder Bremenin. Trajneri Dieter Hecking planifikon ta ftojë përfaqësuesin zviceran këtë fundjavë, pas mungesës së tij prej pothuajse një viti, kur kishte pësuar lëndim të rëndë në gju në lojën me Hamburgun në tetor të vitit të kaluar.
27 vjeçari u paraqit në disa ndeshje të ekipit të dytë të Nurnbergut në fillim të këtij sezoni, ku e veçuan edhe dy ndëshkime me karton të kuq. Ndërsa tash do të kthehet në elitën e futbollit gjerman, ku dy sezone më parë në debutim realizonte hiç më pak se 12 gola.
“Problemet me lëndime i kam lënë prapa shpinës dhe po shikoj përpara tashmë. Kundër Werderit të shtunën do të jem në skuadër”, ka konfirmuar Bunjaku për tabloidin gjerman Bild.
Futbollisti nga Gjilani nuk pret të aktivizohet 90 minuta. Por, ai shpreson që së paku t’i jepet rasti ta shijojë sërish ndjenjën e Bundesligës, e cila i mungoi shumë gjatë kësaj periudhe të errët. “Do të isha i lumtur nëse trajneri vendos të m’i japë disa minuta lojë”, përfundoi ‘Boom Boom, Bunjaku’, siç e quajnë në Gjermani.
Bunjaku, i cili la mbetur jashtë përfaqësueses zvicerane që nga Botërori 2010 për shkak të lëndimit, e zhvilloi një ndeshje miqësore me ekipin e parë të Nurnbergut javë më parë, duke shënuar gol ndaj Fenerbahçes.
Fansat e Nurnbergut shpresojnë që ta shohin Bunjakun e dy sezoneve më parë, kur ishte bërë lojtari i tyre i preferuar. Ndëshkimi me karton të kuq i sulmuesit Tomas Pekhart në ndeshje me Kolnin mund t’ia japë më shumë hapësirë Albert Bunjakut në ndeshje me Werder Bremenin.