E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria jashtë shengen për moskryerje reformash

Presidenca suedeze e Bashkimit Europian shprehet se arsyeja se përse disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë mbetur jashtë liberalizimit të vizave është moskryerja e reformave të duhura. Komisioni Europian i ka rekomanduar vendeve të BE-së që t'u ofrojnë Serbisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Malit të Zi regjim pa viza në zonën e Shengenit. Jashtë ka mbetur Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina. "Të marr Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën Për shembull, atyre iu janë dhënë të njëjtat kritere kryesore, e njëjta "hartë e rrugës", sikurse edhe Serbisë, Malit të Zi dhe të tjerëve", tha zëvendësshefi i Departamentit suedez për BE-në, Lars Vahlund, në një intervistë për BBC-në.
"Ata do të duhej të bënin këto reforma dhe ekspertët e Komisionit ishin atje dhe ata nuk i kishin kryer", tha ai.
Ndërkohë që përsa i përket Kosovës Vahlund tha se duhet të ketë një politikë më aktive në vendet europiane që nuk e kanë pranuar, për të arritur mbështetjen për çështjen e saj.
Ai deklaroi se nuk shpreson që Suedia, gjatë udhëheqjes së saj gjashtëmujore të BE-së, të arrijë një konsensus europian për statusin e Kosovës, dhe kjo, sipas tij, është arsyeja se pse BE-ja nuk mund t'i ofrojë Kosovës të njëjtën "hartë të rrugës", edhe në procesin e lehtësimit të vizave, sikurse vendeve të tjera të Ballkanit.
Vahlund theksoi se bashkëpunimi i Serbisë me EULEX-in është pjesë e procesit të liberalizimit të vizave për këtë vend, por vlerësoi se Kosova nuk është një kusht në këtë proces.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›