“Shqipëria jo më vend tranzit i drogës, sistemi TIMS dinjitet për shqiptarët”
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka në Konferencën e Menaxhimit të Integruar të Kufijve
Strategjia ndërministrore e nisur në vitin 2007 bëri të mundur përjashtimin e Shqipërisë nga vendet transit të drogës dhe trafiqeve të paligjshme duke e bërë vendin më të sigurt. Gjatë konferencës së menaxhimit të integruar të kufirit Ministri i Brendshme Flamur Noka pohoi se sfidat janë akoma të mëdha për policinë e shtetit dhe suksesi i mëtejshëm i strategjisë do të varet nga bashkëpunimi në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.
“Menaxhimi i Integruar i kufijve të Shqipërisë bëri të mundur që kufijtë të jenë më të sigurtë në rajon dhe jo vetëm. Zbatimi i kësaj strategjie mundësoi që Shqipëria të mos jetë në hartën e vendeve tranzit për drogat e forta dhe goditi me shumë forcë përpjekjet për trafikun e narkotikëve të lehtë. Por, mbi të gjitha, zbatimi i saj i dha fund njëherë e përgjithmonë trafikut të vdekjes dhe biznesit të fëlliqur të skafeve. Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare, si një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ndërinstitucional, si edhe reparti Delta Force garantojnë sot menaxhimin dhe kontrollin e kufijve detarë shqiptarë, sigurinë e jetës në det dhe luftën me zero tolerancë në kufijtë blu ndaj trafikut të paligjshëm dhe elementëve të krimit të organizuar”, u shpreh Noka.
Më pas ministri Noka vuri në dukje se Menaxhimi i Integruar dhe instalimi i sistemit TIMS në çdo pikë të kalimit kufitar u dha dinjitetin e munguar shqiptarëve, të cilët të pajisur me dokumentet më të sigurt të identifikimit, plotësuan ëndrrën e madhe të lëvizjes së lirë në hapësirën Shengen.
“Kufijtë shqiptarë janë tashmë të pakalueshëm për çdo element të inkriminuar vendas apo në kërkim ndërkombëtar, duke u kthyer në faktor stabiliteti dhe sigurie për rajonin dhe të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Por, ashtu si edhe në shumë procese të tjera integruese ne kemi patur edhe në këtë drejtim mbështetjen dhe ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtar. Gjej rastin të falënderoj në emër të Qeverisë shqiptare të gjithë partnerët ndërkombëtar, e veçanërisht shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ndihmën e pakursyer që na kanë dhënë si në infrastrukturë, në pajisje, asistencë teknike dhe trajnime, për të gjitha shërbimet e përfshira në Menaxhimin e Integruar të Kufirit, mbështetje e plotë dhe e shkëlqyer, dhënë që në hartimin fillestar të këtij dokumenti strategjik”, theksoi ministri Noka.
Ndër të tjera, ministri Noka nënvizoi se Qeveria Shqiptare ka dëshmuar qartë vullnetin e saj për të përmbushur të gjitha detyrimet jo vetëm para qytetarëve shqiptarë, por edhe në kuadër të proceseve integruese të vendit.
Duke bërë një përmbledhje të arritjeve, ministri Noka vlerësoi se vetë rezultati që del nga analiza e Planit të Veprimit, ku konstatohet se janë realizuar deri më sot 98 për qind e objektivave dhe aktiviteteve të parashikuara në këtë Strategji, është një tregues mjaft i qartë i punës së bërë, duke pasur parasysh afatin e përfundimtar deri në mbyllje të vitit 2013.
Ndërsa lidhur me Strategjinë e MIK 2013 – 2020, ministri Noka nënvizoi se, “këto arritje dhe standarde tashmë kërkojnë kalimin në stadin më të lartë, i cili është edhe objektivi ynë final: Qëndrueshmërinë dhe konsolidimin total të tyre dhe njehsimi i plotë i standardeve me ato të BE-së”.
Në këtë konferencë, merrnin pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Hysni Burgaj dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit, zëvendësministra të ministrive pjesë të grupit ndërsektorial, ambasadori i BE Ettore Sequi, zëvendësambasadori SHBA-ve në Tiranë, Henri Zhardin, ambasadorë të përfaqësive diplomatike të vendeve të BE-së dhe rajonit, si edhe përfaqësues të programeve të ndryshme të ndihmës në fushën e sigurisë dhe oficerë kontakti të vendeve partnere.