E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria ka bërë përparime, klasa politike të bashkëpunojë për statusin e kandidatit”

15-08-2011 / Gazeta 55

Flet ambasadorja polake në vendin tonë, Irena Tatarzynska, vendi i së cilës ka presidencën e radhës të Bashkimit Evropian

“Integrimi i Ballkanit Perëndimor është pjesë e axhendës politike të Presidencës polake të BE. Dhe sigurisht Varshava do ketë në vëmendje vendet potencialisht kandidate si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia. Ne mbështesim fuqimisht integrimin e Shqipërisë në familjen Evropiane”. Kështu shprehet ambasadorja e Polonisë në Tiranë, Irena Tatarzynska, vendi i së cilës ka presidencën e radhës 6 – mujore të Bashkimit Evropian. Ajo evidenton kushtet dhe detyrimet që duhet të plotësojë pala shqiptare, në mënyrë që rruga drejt integrimit të jetë më e lehtë. Prioritet kyç thotë ajo, është implementimi i 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian. Ambasadorja polake thekson se realizimi i reformave kërkon bashkëpunimin e të gjithë faktorëve politik në Parlament. Kjo sipas saj, do të kthejë besimin e Brukselit se situata politike në Shqipëri është optimiste si dhe e gatshme t’i përgjigjet kërkesave të vështira të ‘bllokut’ 27 anëtarësh.  “Shqipëria, që prej hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, autoritetet shqiptare kanë zhvilluar dhe do zhvillojnë takime të përhershme me autoritetet e Bashkimit Evropian. Kjo është një procedurë në vazhdimësi. Edhe më parë janë zhvilluar takime të tilla dhe prandaj ka qenë gjithçka e qartë lidhur me synimet e këtyre takimeve, axhenda e reformimit sipas të ashtuquajturave “aquis communitarian”, pra kërkesave të BE-së. Legjislacioni shqiptar duhet të jetë i harmonizuar me atë të Bashkimit Evropian. Për qeverinë shqiptare, autoritetet dhe publikun shqiptar, është e qartë tashmë se janë 12 rekomandime, apo pika kryesore për të cilat Bashkimi Evropian kërkon më shumë angazhim dhe natyrisht plotësim të standardeve. Bashkimi Evropian kërkon bashkëpunim mes palëve politike dhe miratimin e këtyre kërkesave primare. Kur flasim për perspektivën Evropiane mund të themi se Shqipëria ka ecur përpara, por natyrisht ka shumë për të bërë dhe kjo është në dorë të vetë Shqipërisë”- u shpreh ambasadorja Tatarzynska.
Ajo thotë gjithashtu se dhe anëtarësimi i Polonisë në BE s’ka qenë një proces i lehtë, pasi janë dashur një serë reformash që vendi të merrte “Ok”-in e Brukselit. “Më duhet të them se ka qenë një rrugë e shkurtër dhe e lehtë, por në fakt është tërësisht e kundërta, është një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Në shumë aspekte nuk ka lidhje vetëm me pyetjet e Bashkimit Evropian, apo plotësimin e kushteve, por ka lidhje me përgatitjet e tërësishme të një vendi për të qenë pjesë e bllokut 27 anëtarësh. Nuk është çështja vetëm tek një progres raport pozitiv në fund të vitit, por janë edhe çështjet e thjeshta teknike. Qytetarët ndoshta nuk e dinë se mijëra faqe legjislacion të përkthyer në mënyrën më të saktë të mundur dhe legjislacioni shqiptar duhet përafruar me të. Ajo që mund të them nga përvoja polake e integrimit në Bashkimin Evropian, është se, sa më i përgatitur të jesh në periudhën para-anëtarësimit aq më e lehtë është periudha e anëtarësimit, për një pozicion të qartë dhe të mirë në bllokun me shumë anëtarë”- tha më tej ambasadorja polake në vendin tonë, Irena Tatarzynska. Shqipëria pritet të marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti. Muaji tetor i këtij viti do jetë dhe momenti më i rëndësishëm përsa i takon vlerësimit të progres – raportit të Shqipërisë për vitin 2011, i cili do jetë dhe dokumenti që do t’i rekomandojë Brukselit dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›