E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca: Jo ndërhyrje në Kushtetutë, opozita po kërkon ta fusë vendin në krizë

15-08-2011 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe kryetari i PAD-së, Neritan Ceka deklarojnë se s’ka asnjë gjasë që axhenda e vjeshtës të përqendrohet tek tekat e liderit të opozitës.
Ceka: “Rama po kërkon pushtet me forcë, është bërë si PKSH, i ka ‘vrarë’ aleatët”

Shumica Parlamentare shprehet prerazi se s’do ketë ndryshime në Kushtetutë, të kërkuara këto nga opozita, ndonëse jo zyrtarisht. Partia Demokratike dhe aleati i saj në qeverisje Lëvizja Socialiste për Integrim, theksojnë se ndërhyrja në Kushtetutë kërkohet me insistim nga Partia Socialiste, për të futur vendin në krizën e “zgjedhjes së Presidentit”, me qëllim çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme. Edhe pse kemi të bëjmë me një situatë të panevojshme dhe në dukje krejt banale, opozita socialiste, pa u konsultuar me aleatët e saj, shpall kryeprioritetin politik të saj gjatë sesionit të vjeshtës, kërkesën për ndryshime Kushtetuese, ndërsa lë në plan të dytë apo të tretë, reformën zgjedhore dhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Ky i fundit, është dhe mbetet rekomandimi më i rëndësishëm i komunitetit ndërkombëtar, të cilët sugjerojnë amendimin e tij dhe hartimin e ligjit të ri elektoral, për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.
Deri tani, pjesë e axhendës politike të opozitës nuk janë as 12 rekomandimet e Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat, edhe pse Brukseli ka kërkuar me ngulm miratimin e reformave në këmbim të statusit. Siç edhe kuptohet, Partia Socialiste s’është e interesuar për reforma konstruktive në dobi të kursit të integrimit, ndërsa nga ana tjetër, ka çelur një front të ri me ‘Kushtetutën’, me qëllim shmangien e vëmendjes nga detyrimet parlamentare të deputetëve socialistë. 

Bujar Nishani, ministri i Brendshëm

“Kushtetuta eliminon krizat parlamentare, jo kthim në Kushtetutën e para vitit 2008”

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, ka dalë hapur kundër ndryshimeve që kërkon të bëjë në kushtetutë Partia Socialiste. Duke iu referuar amendimeve të vitit 2008, zoti Nishani thotë se falë tyre u eliminuan ngërçet parlamentare, duke sjellë ligjin themeltar të shtetit në standarde më të mira evropiane.
Ministri i Brendshëm, një prej figurave kryesore të Partisë Demokratike nënvizon faktin se në 2008-ën ishin pikërisht socialistët propozuesit e ndryshimeve në Kushtetutë që u miratuan me konsensus të gjerë politik.
“Pa dyshim jam i bindur që në momentin kur opozita ofroi ato propozime për të ndryshuar kushtetutën mbante parasysh faktin jo vetëm të qenurit në opozitë, por edhe të vinte në pushtet. Pra, raportet që përcaktonte Kushtetuta, ishin raporte mjaft të qarta midis institucioneve, çka është e rëndësishme nga të gjitha ndryshimet që iu bënë Kushtetutës, ishte pikërisht të eliminoheshin ngërçet artificiale në jetën parlamentare, në jetën konstitucionale të të gjitha institucioneve të vendit. Unë besoj se sa kohë që Kushtetuta me ndryshimet e saj, shumë e rëndësishme me propozimet direkte të opozitës, arriti të evidentonte ngërçe të mundshme konstitucionale dhe institucionale të vendit. Besoj se ka qenë një arritje dhe prurje në standardet e mjaft vendeve të konsoliduara, për sa i takon konceptit të demokracisë së Bashkimit Evropian”, u shpreh Nishani.
Për ministrin e Brendshëm çalon dhe mënyra se si Partia Socialiste trajton ligjin themelor të shtetit. Nuk është korrekte thotë ai që, kushtetuta të shihet njëlloj si një ligj i thjeshtë, e të kërkohet ndryshimi i saj brenda 3 apo 4 vitesh.
“Në praktikën tonë legjislative nuk ka ligje të thjeshta të cilat të amendohen më herët se 4 apo 5 vjet. Të trajtosh ndryshimet Kushtetuese në këtë prizëm unë besoj se në radhë ta parë është një qëndrim jo korrekt ndaj kushtetutës në konceptin doktrinal, por edhe në sjelljen shoqërore ndaj Kushtetutës dhe ndaj vetë sistemit”, tha Nishani.
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani thekson se ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008, e konsoliduan gjithnjë e më shumë rolin e ligjit themeltar të shtetit. Ai sugjeron që ajo të lexohet me qetësi, jashtë interesave politike, për të kuptuar siç thotë se, ajo është vërtetë një Kushtetutë e mirë.      

Ndryshimet Kushtetuese në 2008-n
115 nga 140 deputetë të Kuvendit i thanë ‘po’ ndryshimeve Kushtetuese të vitit 2008, që konsistuan në sistemin zgjedhor, në procedurat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm, mocionin ndaj Kryeministrit dhe institucionin e KQZ-së, që falë atyre ndryshimeve nuk ishte më një institucion Kushtetues. Amendimet kushtetuese kërkojnë 94 vota dhe si rrallë herë në këto 20 vite pluralizëm në Shqipëri kompromisi i gjerë u arrit, pavarësisht kundërshtive të shumta të partive të vogla, përfaqësuesit e të cilëve u futën dhe në grevë urie, ndërsa u krijua dhe Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës. Por konsensusi i gjerë “rrëzoi” çdo përçapje për të mos prekur ligjin themeltar të shtetit që ishte miratuar me referendum në 22 nëntor të vitit 1998. Dhjetë vjet pas miratimit, Kushtetuta u ndryshua në disa nene të saj, që lidhen me disa çështje; aplikimi në Shqipëri i sistemit zgjedhor proporcional rajonal, heqja e pjesës së 12 në Kushtetutë që flet për KQZ-në, procedurat e zgjedhjes së Presidentit, mandati i kryeprokurorit dhe mocioni ndaj Kryeministrit.

Neritan Ceka, Presidenti i Aleancës Demokratike

“Rama kërkon të marrë pushtetin me forcë, PS është bërë si PKSH, ka ‘vrarë’ aleatët”

Presidenti i Aleancës Demokratike Neritan Ceka i bashkohet atyre qëndrimeve që i përmbahen ndryshimeve Kushtetuese të vitit 2008 dhe e gjen të pavend logjikën e rikthimit të ligjit themelor në variantin e viti ’98. Zoti Ceka ndalet pikërisht tek zgjedhja e Presidentit të Republikës ku është fokusuar më së shumti debati. Me ndryshimin që iu bë Kushtetutës në vitin 2008, ligjvënësit siç thotë presidenti i PAD, shmangu krizat që prodhonte zgjedhja e tij, pasi vendi vihej më shumë se njëherë përballë rrezikut për zgjedhje të parakohshme.
Ceka sjell në vëmendje se zgjedhja e kryetarit të shtetit me 71 vota, nuk ia zbeh aspak rolin e rëndësishëm që ka ky institucion.
“Unë mendoj që ka qenë një zgjidhje relativisht logjike. Një zgjidhje që nuk ka nevojë për ndryshime të tjera. Presidenti zgjidhet vërtetë me një shumicë të cilësuar prej 71 votash, por nga ana tjetër mbetet konsensual sepse mandati i tij nuk përkon me atë të kryeministrit, pra nuk është se partia që është në pushtet ka domosdoshmërisht edhe presidentin, dhe së dyti është një president shumë i fortë se nuk mund të hiqet me 71 vota siç mund të hiqet Kryeministri, por duhen 94 vota për ta hequr, për ta dënuar (impeachment siç thonë amerikanët). Si rrjedhim, kemi parë gjatë gjithë rasteve të fundit, ka qenë një president relativisht i pavarur nga partia ose nga establishment politik që e ka nxjerrë siç ishte rasti i Moisiut, është një president i cili ka fuqi, sepse emëron një pjesë të funksionarëve të lartë, ka një kontroll mbi to si dhe ka një kontroll të dukshëm mbi sistemin gjyqësor”, u shpreh Ceka.
Duke komentuar variantin po aq të përfolur të zgjedhjes së Presidentit nga populli, zoti Ceka thotë se ky model nuk përkon me sistemin tonë qeverisës.
“Atëherë duhet të ndryshojmë të gjithë Kushtetutën, ta bëjmë një kushtetutë të tipit francez, pasi një president që zgjidhet nga populli duhet të ketë domosdo fuqi ekzekutive, siç ka p.sh presidenti amerikan, apo dhe ai francez. Unë mendoj se është gjithmonë një arteficë e partive politike, në rastin konkret e Partisë Socialiste, që duan të marrin një post me forcë”, deklaroi Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka.
Idenë e ndryshimeve të Kushtetutës që iu bënë në vitin 2008 e hodhi Partia Socialiste, e cila e nisi fillimisht me një ndjesë publike të kreut të saj Edi Rama.
Ky i fundit tha se PS gaboi që dha konsensus për ndryshime të pamenduara kushtetuese 3 vite më parë. Por, rikthimi tek e njëjta çështje, për presidentin e PAD-së, Neritan Ceka nuk tregon gjë tjetër veçse panik dhe krizë të brendshme të Partisë Socialiste.
“Natyrisht një parti e cila nuk mendon për 2013-ën për t’u organizuar dhe për të zgjeruar rrjedhën e aleatëve sepse një parti që në traditën e Partisë Komuniste ‘vrau’ të gjithë aleatët e vet dhe prandaj humbi. Kjo është arsyeja kryesore. Një parti që nuk ndan pushtetet është destinuar të dështojë. Marifetet për të marrë pushtetin me ndryshime Kushtetuese besoj se janë shumë të lexueshme dhe nuk tregojnë gjë tjetër veç asaj krize të thellë identiteti dhe personaliteti në Partinë Socialiste”, deklaroi më tej, kreu i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›