“Shqipëria ka një patriotizëm kushtetues, qeveria rol konstruktiv në rajon”
Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta gjatë një interviste për emisionin “Zonë e Lirë”
Kryetarit të LSI-së Ilir Meta ka deklaruar se Shqipëria ka një patriotizëm kushtetues, e cila e detyron të mbrojë interesat e të gjithë shqiptarëve kudo ku ata jetojnë. Gjatë një interviste të dhënë për emisionin “Zonë e Lirë” të gazetarit Arian Çani, kreu i LSI Meta theksoi se “ne kemi një Kushtetutë e cila është e përshëndetur dhe e njohur si me standarde evropiane edhe nga BE edhe nga SHBA etj, ku në preambulën e saj ka aspiratën për bashkim kombëtar ndërkohë që nga ana tjetër në këtë kushtetutë shprehet detyrimi kushtetues, angazhimi për të mbrojtur interesat e të gjithë shqiptarëve kudo ku ata jetojnë. Në këtë drejtim kemi një patriotizëm kushtetues dhe një detyrim kushtetues qoftë edhe për rastin e Preshevës”. Sipas tij, është një fakt që kohët e fundit ka një përpjekje për të marrë një flamur deri diku të nacionalizmit ekstrem. “Për sa i takon qeverisë mund të them se në qëndrimet e saj ajo ka ndjekur një politikë konstruktive në politikë të jashtme. Shqipëria ka qenë shembull i fqinjësisë së mirë në rajon dhe ka qenë vendi që gjithmonë e ka udhëhequr këtë politikë në rajon duke qenë disa hapa para të gjithë vendeve të tjera në rajon. Qëndrimet e Shqipërisë kanë qenë jashtëzakonisht konstruktive. Po të flasim për rastin e fundit në Preshevë është e vërtetë që mund të kishte pasur një dialog më bashkëpunues edhe nga ana e liderëve lokalë shqiptarë atje për të gjetur një zgjidhje sa më të pranishme. Megjithatë krahasimi që bëri Kryeministri i Serbisë për UÇPMB-në me Al Kaedan është i papranueshëm sepse UÇPMB-ja është njohur nga faktori ndërkombëtar, ka qenë palë e marrëveshjes për Preshevën dhe natyrisht që një deklaratë e tillë nuk mund të kalohet dot në heshtje”. Më pas, kreu i LSI është ndalur në një reflektim historik ku ka thënë se, “është një fakt i pamohueshëm që shqiptarët ishin kombi më i persekutuar në rajon, më i ndarë, më i copëtuar dhe më i izoluar si komb deri në vitin 90. Ka përfituar më shumë se kushdo tjetër gjatë këtyre 23 viteve. Para 15 viteve më lehtë mund të mendohej të shkoje në Amerikë sesa të shkoje në Kosovë, ndërsa tani për tani mburrim për 2 orë nga Tirana në Prishtinë. Është kjo politikë e integrimeve evropiane e cila solli këto avantazhe për kombin shqiptar. Ndaj edhe që kombi ynë të ecë më tej edhe për të realizuar aspiratën që shqiptarët të ndihen të gjithë së bashku, është vazhdimi në këtë linjë të proceseve të integrimit evropian”.
Ndërkohë i pyetur nëse është dakord me kryeministrin Berisha në lidhje me nacionalizmin shqiptar, kreu i LSI theksoi se, “është e vështirë të kundërshtosh atë që thotë z. Berisha për sa i takon historisë dhe të kaluarës, pavarësisht se ata mund të krijojnë keqkuptim apo shqetësim tek fqinjët tanë për shkak të së kaluarës. Por po të ndiqet me vëmendje nuk mund të shohësh diçka të gabuar. Unë personalisht mendoj se ne nuk duhet të përqendrohemi shumë edhe tek historia sepse ne jemi politikanë dhe si të tillë duhet të vazhdojmë më shumë për të gjetur zgjidhje. Edhe në rastin e Preshevës natyrisht që ne duhet të mbajmë një qëndrim sepse në rast se atje ndodh një incident natyrisht që edhe qeveria apo forcat politike duhet të mbajnë një qëndrim. Unë mendoj se një maternitet apo një shkollë atje është një investim i rëndësishëm sepse në fund të fundit kuptohet që përmes neglizhencës ndaj kësaj trevë është tentuar një spastrim etnik i vogël, gjë që nuk duhet të ndodhë”.