E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvini ringre strukturat e Vullnetarëve të Enverit

Sipas nismës leniniste për të shndërruar të gjitha pakënaqësitë ekonomike në protesta politike e antishtetërore, Edi Rama deklaroi dje se s’do të ngurrojë të inskenojë antimitingje, duke nisur që me 1 maj, nën shembullin e antimitingjeve të Vullnetarëve të Enverit, të cilat në 1991-in përfunduan në izolim të plotë dhe në koshin e historisë

Edvin Rama është i vendosur për të mos ndaluar fushatën denigruese ndaj vendit dhe aspiratave të integrimit në Bashkimin Evropian. Përmes një qëndrimi kokë fortë dhe të aspak normal për kushtet dhe situatën e jashtme politike të Shqipërisë, në prag të liberalizimit të vizave dhe marrjes së statusit kandidat në BE, Edvini po demonstron edhe njëherë ecejaket e tij të planit ogurzi për destabilizimin e plotë të vendit. Kësisoj, Edvini startoi që prej ditës së djeshme, fushatën e hartimit të projektit leninist, për destabilizimin me çdo kusht të vendit, mjaft që ai të mos largohet nga bashkia dhe politika.
Në daljen e tij thuajse të përditshme e veç monolog (pasi s’pranon thuajse asnjë pyetje) në korridorin e selisë, Rama u bëri thirrje të gjithë të pakënaqurve kudo që janë, që përditë të mbushin rrugët e të bëjnë zullume, pa u shqetësuar fare nëse pretendimet janë të drejta e të themelta.
“Së bashku me partnerët e koalicionit opozitar do të ndërmarrim nismat tona të protestës, që nuk do të ndalet as në 1 maj e tutje derisa të rivendosim demokracinë”, tha ai.
Ai u ka bërë thirrje pensionistëve, zyrtarëve, të rinjve dhe gjithë shtresave të shoqërisë që sipas tij qeverisen keq nga drejtuesit e shtetit.
“Sot është dita për tu ndarë nga e shkuara e keqqeverisjes dhe për të shkuar drejt të së ardhmes, në të cilën qytetarët qeverisen falë zgjedhjeve të tyre të lira”, ka thënë Rama.
Ai theksoi se duhet të “bashkojmë forcat për të dënuar krimin elektoral dhe për të hapur kutitë e shpresës. çdo ditë një protestë për tu rikthyer më 30 prill në mitingun e madh të Tiranës”.
Përmendja e 1 majit tregoi edhe revolucionarizimin e kësaj nisme leniniste, meqenëse në atë ditë, është e djathta që ka njoftuar një manifestim të sajin. Synimi është i qartë që bolshevikët t’u rikthehen antimitingjeve, megjithatë kësaj forme mund t’i kujtohet fati i nismës së Vullnetarëve të Enverit, më 1991, i cili përfundoi me turp të plotë. Kësaj here, meqë nisma është fort karikatureske dhe e dëshpëruar, edhe fati i saj pritet të jetë edhe më cinik... Edvini me slogane komunizmi, premton mbajtjen e tubimit proletar pikërisht më 1 maj, ditë kjo që mbart një simbolikë të veçantë dhe njëherazi moment festiv. Për kundërpeshë Partia Demokratike, ka deklaruar më herët se pikërisht në këtë ditë do të faktojë para shqiptarëve progresin e reformave dhe punën e bërë nga qeveria në drejtim të afrimit të vendit me Bashkimin Evropian.
Në një kohë kur Partia Demokratike dhe mazhoranca në tërësi iniciojnë një komunikim të hapur me qytetarët e të gjithë Shqipërisë, opozita shqiptare e Edvin Ramës mendon të uzurpojë të ardhmen e vendit dhe angazhimin e ekzekutivit. Partia Demokratike do të festojë për të gjitha arritjet e listuara në më pak se 5 vjet qeverisje, ndërsa nga ana tjetër, Edvini do të qajë hallin e kutive të pahapura, por këtë herë askush nuk mund ta ndjekë më çmendurinë e tij. Edvini, nën ankthin e humbjes së bashkisë dhe daljes përfundimtare nga politika, po organizon me çdo kusht vullnetarët, një praktikë kjo e trashëguar nga Enveri, por që për fat të keq, aso kohe mori ndëshkimin e merituar nga martirët e demokracisë dhe pluralizmit.
Pa mëdyshje, i njëjti fat do të përndjekë edhe grupin e Vullnetarëve të rinj, teksa askush më, nuk beson të tezat dhe kauzat e dështuara të brezit të dytë të nomeklaturës komuniste dhe se qëllimi i vetëm i tyre është interesi personal dhe varfërimi i shqiptarëve.
Kërcënimet e njëpasnjëshme për rrëzimin e pushtetit me dhunë, nuk janë gjë tjetër veçse indice e një mendje të sëmurë dhe baza themelore e qëndrimit të këtyre mendjeve të sëmura janë tezat leniniste, për ngritjen në këmbë të proletariatit dhe rrëzimin me forcë të pushtetit, sepse po ndëshkon interesat klanore të grupit të masonëve të pasuruar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›