Shqipëria ka shans real të përfitojë heqjen e vizave më 1 korrik të 2010-s

Eurodeputetja Tanja Fajon dhe ambasadori Lohan konfirmojnë mbështetjen e pakushtëzuar për proceset integruese të mazhorancës së djathtë
Europarlamentarja Tanja Fajon dhe ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, konfirmuan dje se Shqipëia është në prag të një momenti të rëndësishëm, pasi shumë shpejt do të përfitojë nga marrëveshja e lëvizjes së lirë. Kjo deklaratë e përfaqësuesve të lartë të Brukselit, u bë dje gjatë punimeve të konferencës, “Regjimi pa Viza për Shqipërinë – Hapat e Fundit”, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI) dhe Lëvizja Evropiane në Shqipëri (EMA). I pranishëm në diskutimet e forumit, ministri i Jashtëm Ilir Meta deklaroi se në muajin dhjetor një mision i vëzhguesve të Komisionit Evropian do të vijë në Shqipëri, për të bërë një vlerësim të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e regjimit të vizave. Duke përcjellë këtë lajm, ministri i Jashtëm Ilir Meta tha se vendi është drejt finalizimit të gjitha detyrimeve që garantojnë liberalizimin. Meta e konsideroi me rëndësi dhe rolin e opozitës ndaj dhe ripërsëriti ftesën për bashkëpunim. Shefi i diplomacisë shqiptare, gjithashtu nënvizoi angazhimin maksimal të qeverisë “Berisha” për të përmbushur të gjitha kërkesat e Udhërrëfyesit duke u ndalur në ecurinë konkrete në katër blloqet e tij, të cilat janë reflektuar në raportin përfundimtar, që u dorëzua sot pranë Komisionit Evropian. Pasi vuri në dukje bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin Evropian, z. Meta shprehu mirënjohjen e tij për rolin tepër të rëndësishëm të luajtur prej Parlamentit Evropian, dhe në veçanti prej Eurodeputetes Tanja Fajon. Ndërsa, ambasadori Helmut Lohan tha se Komisioni Evropian vlerëson faktin e vëmendjes së posaçme që qeveria shqiptare i ka kushtuar reformave që realizojnë objektivin për regjim të liberalizuar të vizave.
“Shqipëria ka bërë hapa përpara në sigurinë e dokumenteve, por sfida qëndron në nivelin e zbatimit të reformave. Shqipëria duhet të provojë që reformat janëzbatuar dhe se janë të qëndrueshme. Komisioni do të vlerësojë çdo hap të bërë për të siguruar një vlerësim objektiv dhe nëse detyrimet janë përmbushur, KE do të dërgojë një rekomandim pozitiv në mesin e vitit 2010 për liberalizimin e regjimit të vizave”, u shpreh ai. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe eurodeputetja Tanja Fajon, mbështetëse e fortë e një vendimi të shpejtë për Shqipërinë sikundër dhe Bosnjën. Ajo deklaroi se në këtë drejtim nuk duhet humbur kohë.
Fajon krahasoi regjimin me viza mes vendeve të BE dhe Ballkanit Perëndimor si mure të reja ndarëse që prej rrëzimit të murit të Berlinit 20 vjet më parë. Raporti im u mbështet nga shumica e PE dhe është mesazh i fortë për Shqipërinë dhe Bosnjën. “Nuk duhet të humbim kohë me Shqipërinë e të krijojmë ndarje të reja me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne i japim mbështetje të fortë politike liberalizimit të regjimit të vizave Shqipëri- BE. Jam e shqetësuar mbi faktin që nuk ka dialog në Parlament. Liberalizmi i vizave është objektiv i rëndësishëm si për Parlamentin, qeverinë edhe opozitën. Janë katër fusha ku bazohet udhërrëfyesi për Shqipërinë, që parashikon detyrime për t’u përmbushur nga Shqipëria në garantimin e dokumenteve të sigurt, çështje të rendit publik, sigurisë së kufijve si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut e marrëdhëniet me jashtë”, u shpreh Fajon.
Gjithashtu, Fajon, duke theksuar rëndësinë që ka plotësimi i kërkesave nga ana e Shqipërisë, shprehu angazhimin e Parlamentit Evropian për të punuar për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe nënvizoi besimin e saj se “është realiste të presim që vizat do të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur brenda
vitit 2010”.