E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i TIA Ambasadorët e vendeve të BE: “Luftoni korrupsionin”

Autori i Lajmit: Redaksia
Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian kanë reaguar dje pas publikimit të raportit vjetor të Transparency International, i cili e rendit vendin tonë të 95-tin në listën prej 180 vendesh lidhur me indeksin e perceptimit të korrupsionit. Menjëherë pas publikimit të këtij raporti kanë reaguar në një deklaratë të përbashkët ambasadorët e Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Mbretërisë së Bashkuar, dhe I ngarkuari me Punë i Suedisë. Ky sondazh është konsideruar si indeksi më i besueshëm për matjen e korrupsionit në nivel ndërkombëtar. “Rënia në rang ndërkombëtar e Shqipërisë është lajm i keq. Ne shpresojmë se kjo renditje do të inkurajojë fuqishëm Shqipërinë për të implementuar në mënyrë urgjente masa për ndryshimin e kësaj tendence dhe për të treguar rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet. Kjo do të jetë thelbësore për të çuar para integrimin e Shqipërisë në BE dhe për përmirësimin e mjedisit të biznesit për të tërhequr më shumë investime ndërkombëtare të nevojshme”, - ka deklaruar ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Bernd Borhardt, në emër dhe të kolegëve të tij. Ambasadorët përsëritën gatishmërinë e qeverive të tyre për të vijuar mbështetjen e Shqipërisë në këtë luftë kundër korrupsionit.

Raporti

Korrupsioni në vendin tonë është më i lartë se një vit më parë. Ky është përfundimi i nxjerrë nga raporti vjetor i Transparency International, i cili e rendit vendin tonë të 95-tin në listën prej 180 vendesh. “Në tërësi rezultatet e indeksit 2009 janë shqetësuese. Ato tregojnë se korrupsioni vazhdon të jetë aty ku qeveriset pa transparencë, aty ku institucionet kanë nevojë ende për forcim dhe ku qeveritë nuk kanë zbatuar kuadrin ligjor antikorrupsion”, - deklaroi përfaqësuesi i TIA-s në Tiranë, Endri Shabani. Sipas shkallës së vlerësimit nga 10 te 0, përkatësisht nga niveli më i ulët i korrupsionit në një vend që është shumë i korruptuar, Shqipëria është vlerësuar me një koeficient prej 3.2. Shqipëria është renditur e parafundit sa i përket rajonit ballkanik, si vendi më i korruptuar. Kështu Serbia është pozicionuar në vendin e 83 me koeficient 3.5, Rumania, Greqia e Maqedonia dhe Bullgaria në vendin e 71 me një koeficient 3.8. Mali i Zi është renditur në vendin e 69 me një koeficient 3.9, Kroacia në vendin e 66 me koeficient 4,1. Shqipëria lë pas vetëm Bosnje-Hercegovinën, e pozicionuar në vendin e 99 me koeficient 3. Shabani ka pohuar se në Evropën Juglindore, pjesëmarrja e pritshme në Bashkimin Evropian nuk ka ndikuar si një faktor kryesor për të nxitur përpjekjet antikorrupsion. Fakti që në 2008 një fond i konsiderueshëm i BE-së, i parashikuar për Bullgarinë, u pezullua për shkak të mungesës së progresit në reformat antikorrupsion dhe në drejtësi, tregon që Komisioni Evropian ka forcuar pozicionin e tij në kërkesat për reforma. Gjithashtu, nuk është koincidencë që toni i raport-progresit të BE-së për vendet kandidate, i publikuar në tetor 2009, reflekton në një masë të gjerë renditjen e CPI-së. Në mënyrë të dukshme, pikët e CPI-së 2009 për Turqinë dhe Kroacinë (të dyja vende kandidate për në BE), respektivisht 4.4 dhe 4.1, tejkalojnë pikët e Bullgarisë dhe Rumanisë (vendeve më të reja të BE-së), të cilat morën nga 3.8 këtë vit. Pikët më të larta në CPI 2009 i ka marrë Zelanda e Re me 9.4; Danimarka me 9.3, Singapori e Suedia me 9.2; dhe Zvicra me 9.0. Këto pikë reflektojnë stabilitet politik, norma ligjore të qëndrueshme mbi konfliktin e interesit si dhe institucione publike solide e funksionale.

Ky lajm është publikuar: 18/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›