Kryeparlamentarja Topalli, i apelon opozitës nga SHBA: Urgjentisht në parlament

Pranimi i kërkesës nga BE, e merituar, Shqipëria ndodhet pranë integrimit
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e cilësoi ditën e djeshme si ditë historike, duke iu referuar vendimit të BE, për të miratuar kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Nga Nju Jorku, ku po merr pjesë në punimet e Unionit Ndërparlamentar Botëror, kryeparlamentarja Topalli i apeloi opozitës shqiptare që të mos humbasë më kohë lidhur me procesin e integrimit tani që ai është më korrekt dhe më i prekshëm se kurrë, pas aprovimit të djeshëm nga Brukseli. “Pranimi i kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim nga BE është e jashtëzakonshme dhe kjo do të thotë që Shqipëria është përgëzuar edhe për zgjedhjet e 28 qershorit. Deputetët e Partisë Socialiste duhet të mos humbasin më kohë lidhur me procesin e integrimit tani që ai është më konkret dhe më i prekshëm se kurrë pas miratimit të djeshëm nga Brukseli të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.
Topalli deklaroi se gjatë dy muajve opozita, e ndërthurur me intrigat më të rëndomta si pasojë e vendimeve personale të kreut të saj Edi Rama, humbi mundësinë për të kontribuar në reforma dhe për t’u bërë pjesë e kësaj fitoreje. “E humbën shansin për të qenë në Parlament, për të kontribuar gjatë këtyre dy muajve për t’u bërë pjesë e kësaj fitoreje, por tani kjo është një ditë e madhe ndaj dhe shfrytëzoj dhe një herë rastin për të ftuar në Parlament deputetët socialistë”, theksoi më tej ajo.
Sipas kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, çdo deputet duhet të përcjellë kontratën që ka me zgjedhësit e tij, ndaj të cilave nuk mund të shpëtojë askush. “Ndaj dhe unë i ftoj dhe një herë të vijnë në Parlament, të mos humbin momente të tjera”, ka shtuar në vijim Topalli.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ndodhet në SHBA, ku është e ftuar të marrë pjesë në një prej takimeve më të rëndësishme të Unionit Ndërparlamentar në
pallatin e OKB-së.