E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama vazhdon të sabotojë buxhetin e Bashkisë, për të fshehur abuzimet financiare

Denoncon kreu i këshilltarëve bashkiakë të PD-së, Ferdinand Poni

Bashkia e Tiranës me politikat e saj abuzive nuk ndalet vetëm te transparenca e fondeve të buxhetit për vitin 2010, por vazhdon edhe me taksat stratosferike, të pajustifikuara, të cilat rëndojnë xhepat e qytetarëve të kryeqytetit

Reagon kreu i grupit të këshilltarëve në Bashkinë e Tiranës dhe njëherazi zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, lidhur me buxhetin që vazhdon të mbahet peng nga kryebashkiaku Edi Rama. Poni tha se Rama prej një kohe të gjatë po saboton hartimin e një buxheti të ndershëm dhe transparent, duke shmangur transparencën dhe përgjegjësitë ndaj qytetarëve.
“Mbi mos dhënien nga Bashkia të Informacionit për Buxhetin e Bashkisë së Tiranës!
Ditën e premte ishte thirrur, por nuk u zhvillua për mangësi të theksuara procedurale e administrative, mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës për buxhetin e kësaj bashkie. Opinioni publik duhet ta dijë se Bashkia e Tiranës vazhdon të sabotojë hartimin dhe miratimin e një buxheti të ndershëm e transparent, një buxheti që do t’u vijë qytetarëve të Tiranës dhe jo një buxheti të taksave të larta, një buxheti jo transparent, që keqpërdor besimin e qytetarëve tek administrata publike, që keqpërdor paranë publike duke mbajtur administrata të fryra e super-fryra”, u shpreh Poni.
Sipas tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe administrata e tij, keqpërdor, anashkalon dhe thyen çdo rregull dhe dispozitë ligjore lidhur me detyrimet që administrata e tij, si çdo administratë bashkiake e komunale ka, që në përputhje me ligjin Nr 8652 datë 31.07.2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore”, neni 29, pika 3, t’i verë në dispozicion, në çdo kohë, çdo këshilltari e jo me një grupi këshilltarësh, çdo lloj dokumentacioni për njohje të problemeve të juridiksionit të saj”.
“është e papranueshme dhe në kundërshtim të hapur me ligjin për Buxhetin e Shtetit që buxheti i bashkisë të ndërtohet pa një parashikim për nivelin e taksave e tatimeve, për numrin e kontribuuesve për çdo taksë e tarifë lokale. Të gjithëve u kujtohet fare mirë që as edhe sot e kësaj dite grupi i këshilltarëve të PD-së nuk ka marrë informacionin e kërkuar lidhur me nivelin për çdo taksë e tarifë vendore si dhe bazën e saj. Bashkia bën budallain, të paditurin e të pa interesuarin edhe kur kërkesës sonë të ligjshme, ashtu si edhe për listën e detajuar të taksave, jo vetëm tonës, për të disponuar listë të projekteve që disponohen nga bashkia por nuk janë financuar në këtë buxhet i përgjigjet me listën e projekteve të financuara. është po kaq e papranueshme që megjithëse në një masë të reduktuar nga buxheti 2009, bashkia propozon fonde pa destinacion specifik objektesh, nën të ashtuquajturin “punët e komunitetit”, fonde totalisht pa destinacion dhe që janë objekt i abuzivizmit, përdorimit pa kriter, klientelist e partiak nga kjo administratë kokë e këmbë e korruptuar. Praktika e buxheteve të Bashkisë së Tiranës nën mazhorancat Rama, nën mazhorancat klienteliste, abuziviste, pa dinjitet e personalitet, ka përfunduar”, tha kreu i grupit të këshilltarëve në Bashkinë e Tiranës, Ferdinand Poni.
Ai deklaroi më tej se nuk mund të miratohen buxhete bashkiake në injorim total të ligjit e këshillit, dhe në mungesë të informacionit të domosdoshëm për vendimmarrje, duke nënshtruar siç bënte deri tani këshilltarët e tij të mazhorancave të mjerueshme dhe pa personalitet të shkelësve të ligjit.
“Në përputhje me Kushtetutën e Ligjin, e cituar më sipër, Këshilli është organi më i lartë që vendos për buxhetin e bashkisë së Tiranës dhe jo një kryetar që ka fobi nga ligji e transparenca, që ka fobi nga demokracia dhe pushteti i ligjit, që ka fobi për Tiranën dhe qytetarët e saj. Grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike është në pritje të plotësimit të kërkesave tona të ligjshme”, deklaroi më tej, Poni.
Ndërkaq, Bashkia e Tiranës me politikat e saj abuzive nuk ndalet vetëm te transparenca e fondeve të buxhetit për vitin 2010-ë. Taksat stratosferike, të pajustifikuara, rëndojnë xhepat e qytetarëve të kryeqytetit, ndërsa kryebashkiaku vazhdon të zgjerojë administratën dhe të punësojë “partizanë” të PS-së në shenjë shpërblimi për ndjekjen pas, protestave dhe grevës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›