E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembja e pallatit, gjykata nuk e do Bimen për dëshmitar

Kërkohet paraqitja e kryebashkiakut të Gjirokastrës, Flamur Bime, si dëshmitar në gjyqin e tragjedisë së 9 nëntorit 2008, ku tre persona humbën jetën dhe 14 familje mbetën të pastreha. Kërkesa është bërë nga ish-sekretarja e KRRT-së së Gjirokastrës, por është rrëzuar nga gjykata.

Në seancën e djeshme në ngarkim të shtatë të pandehurve të akuzuar si shkaktarë të tragjedisë, ka qenë radha e grupit të avokatëve mbrojtës për të paraqitur argumentet e tyre përfundimtare, pas konkluzioneve të paraqitura në seancën e mëparshme nga pala e akuzës. Grupi i avokatëve mbrojtës i të shtatë të pandehurve, gjatë paraqitjes së pretendimeve të fundit ka kërkuar të rrëzohen akuzat e ngritura nga prokuroria për të gjithë të pandehurit, prej të cilëve vetëm njëri ndiqet në gjendje arresti, ndërsa gjashtë të tjerët në gjendje të lirë. Në fillim të seancës është paraqitur kërkesa e të pandehurës Afërdita Papamihali, ish-sekretare pranë KRRT-së së bashkisë, e cila ka kërkuar ndërprerjen e gjykimit derisa të paraqitet dhe të dëshmojë para këtij trupi gjykues vetë kryetari i bashkisë, Flamur Bime. Sipas të pandehurës Papamihali, kryebashkiaku Bime është marrë në pyetje nga hetuesit dhe prokurorët vetëm një herë, në ditët e para të hetimeve të kësaj çështjeje. Një kërkesë tjetër e të pandehurës në fjalë ka qenë dhe rishikimi i punës së saj gjatë vitit 2008, kur ka ndodhur tragjedia, por që të dyja këto kërkesa nuk janë marrë parasysh dhe janë hedhur poshtë nga trupi gjykues. Sipas vendimit të ndërmjetëm të trupit gjykues të kryesuar nga vetë kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës, Desard Avdulaj, e pandehura Afërdita Papamihali gjatë procesit e ka pasur gjithë kohën e nevojshme në dispozicion për të paraqitur këto pretendime dhe kërkesa, shqyrtimi i të cilave në këto momente përmbyllëse të procesit do ta pengonte dhe do ta zvarriste edhe më tej këtë proces gjyqësor.

Ndërkaq, avokati i të pandehurit kryesor, Sotiraq Janora, ka kërkuar nga trupi gjykues pafajësinë e klientit të tij pasi, sipas tij, objekti që ishte duke u ndërtuar prej firmës së tij ka qenë me leje ndërtimi dhe konform të gjitha rregullave dhe ngjarja nuk mund të cilësohet si një vrasje apo vepër kriminale me dashje.

Prokurori i çështjes, Alfred Saliu, dy javë më parë ka dhënë pretencën e tij duke kërkuar shpalljen fajtor kryesor të presidentit të firmës ndërtimore, me akuzën për vrasjes në rrethana të cilësuara, si dhe për shkatërrim të pronës me dashje, duke kërkuar dënimin e tij me 21 vite burg. Ndërkaq, për inxhinierin Gjergji Meçi, nga organi i akuzës është ngritur akuza për shpërdorim detyre dhe është kërkuar dënimi me tre vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë. Për të pandehurën Afërdita Papamihali është kërkuar dënimi me tre vjet e 6 muaj burg, si dhe 500 mijë lekë gjobë për shpërdorim detyre. Masa të njëjta dënimi janë kërkuar nga pala e akuzës edhe për Admir Shehaj e Alfred Mamanin, të cilët janë konsideruar fajtorë nga prokuroria për shpërdorim detyre. Ndërsa për dy të akuzuarit e tjerë, Leonard Mustafaraj dhe Petrit Maksuti, akuzuar nga prokuroria për shpërdorim detyre, është kërkuar dënimi me një vit e gjashtë muaj burg.

Ndërkaq, të pranishëm në këtë seancë ishin edhe disa nga banorët që pas tragjedisë humbën të afërmit e tyre, apo mbetën pa strehë, dhe që në forma nga më të ndryshmet kanë kërkuar dënimin e shkaktarëve të tragjedisë dhe dëmshpërblim për humbjet materiale.

En.Se.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›