E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria luan një “miqësore” të paprecedentë me Azerbaixhanin

Baku (Start)- Shqipëria zhvilloi miqësoren e saj të vështirë në stadiumin e Bakut, i cili do të mbahet mend gjatë në historinë e futbollit shqiptar. Si protagonistë të kësaj “miqësoreje” nuk do të mbahen mend, as ushtarët që demostruan forcën e tyre para fillimit të takimit në stadium, as lojtarët kundërshtar që luajtën mjaft ashpër, e as fusha skandaloze, por do të mbahet mend gjyqtari Sinagava me dy ndihmësit e tij nga Gjeorgjia.

Ndeshja kaloi në një tension për lojtarët tanë, të cilët gjatë gjithë takimit kontestonin vendimet e gjyqtarit. Kulmi i tyre arriti me daljen me 10 minuta vonesë në pjesën e dytë.

Fillimi i takimit nisi i mirë për tanët, të cilët nuk shfrytëzuan dot një rast me Duron. Vetëm pak minuta më pas, Subashiç i ndodhur të paktën 3 metra përpara mbrojtësve tanë në poziciion jashtë loje, gjendet i vetëm përballë Hidit duke e dërguar topin në rrjetë. Protestat e tanëve nuk bëjnë fajde tek gjyqtari i takimit.

Menjëherë kuqezinjtë reagojnë duke barazuar takimin me kapitenin Skela. Një aksion me disa kombinime të shkëlqyera e nxjerr vlonjatin në pozicion të prirët përballë portierit azerbaixhanas, i cili me një gjuatje të bukur përshëndet rrjetën.

Gjyqtari nuk kish se ç’ti bënte golit, dhe më pas fillon “punën” e tij. Kuqezinjtë shfaqin një nervozizëm, ku brenda pak minutash marrin tre kartonë të verdhë për disa ndërhyrje të gabuara. Për të tilla ndërhyrje lojtarët azerbaixhanas nuk ndëshkoheshin.

Njëanshmerinë e tyre gjyqtarët e tregojnë hapur kur nxjerrin disa herë në pozicion jashtë loje Berishën, megjithëse kishte pas vetes në një distancë të largët të paktën tre mbrojtës të Azerbaixhanit.

Kulmi i takimit vjen kur Beqiri replikon me një kundërshtar, dhe gjyqtari i tregon të kuqin në “surrat”. Këtu nis protesta e madhe e të kuqve pranë gjyqtarit, të cilët shkëmbejnë edhe disa shtyrje me duar me lojtarët azerbaixhanas. Pjesa e parë përfundon me këtë episod, me të vërtetë të shëmtuar. Kujtojme që ndeshja ishte thjesht “miqësore”.

Kur duhej të fillonte e dyta, lojtartët tanë nuk paraqiten në fushën e lojës në shenjë proteste ndaj gjyqtarit. Trajneri Han me gjakftohtësinë e tij i bind lojtarët të paraqiten në fushë.

Pjesa e dytë u zhvillua disi më ndryshe nga ana e gjyqtarëve, të cilët u treguan pak më të matur se në pjesën e parë. Megjithatë dhe në këtë pjesë binte qartë në sy njëanshmëria e tyre. Loja nuk ka shumë histori për të treguar pasi më shumë kishte ndërhyrje të gabuara nga kundërshtarit, që gjithsesi nuk ndëshkoheshin nga gjykuesit gjeorgjianë.

Hani arrin të bëjë katër zëvëndësime në fundin e takimit, të cilat për shkak të rethanave nuk është se i shërbyen shumë teknikut të kombëtares shqiptare për qëllimin që kishte.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›