E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria mbështet 9-të deklarata të BE-së në fushën e shëndetit

Autori i Lajmit: red.
Shqipëria ka mbështetur nëntë deklaratat e Bashkimit Europian në fushën e shëndetit, të cilat janë në axhendën e diskutimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës Botërore të Shendetësisë, që po mbahet në Gjenevë nga data 19-24 maj. Gazmend Bejtja, drejtor i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Mnistrinë e Shëndetësisë, tha për mediat se delegacioni shqiptar, i kryesuar nga ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, është shprehur pro marrjes së masave të koordinuara në fushat që kanë të bëjnë me reduktimin e përdorimit të alkoolit, parandalimin e pandemisë së gripit, ndryshimet klimaterike dhe shëndeti, sëmundjet jokomunikuese, etj. Bejtja u ndal tek një nga deklaratat e BE-së, ajo e strategjive për reduktimin e përdorimit të alkoolit, duke nënvizuar se ndryshimet e normave shoqërore dhe globalizimi janë shoqëruar me konsum alkooli, që rrjedhimisht sjellin sëmundjet e zemrës dhe kancerit. Por nga ana tjerër, shtoi Bejtja, ekziston një lidhje e fortë midis konsumit të alkoolit dhe dëmtimeve fizike, aksidenteve rrugore, vetëvrasjeve, dhunës dhe sjelljeve seksuale të rrezikshme. "Parandalimi i pandemisë së gripit është një tjetër objektiv, pasi ndalimi i përhapjes së gripit të shpendëve apo çdo forme tjetër virusale me potencial për transmetim të shpejtë nga njeriu tek njeriu kërkon bashkërendimin e punës midis të gjithë shteteve për ndarjen e shpejtë të informacionit dhe marrjen e masave në bashkëveprim të ngushtë", tha Bejtja. Pjesë e angazhimeve të Shqipërisë është dhe ndërgjegjësimi i publikut dhe profesionistëve të shëndetit lidhur me efektet e klimës në shëndet. Sipas tij, pjesë e deklaratave me BE është edhe shëndeti i emigrantëve. Në të gjitha vendet e BE-së, minimalisht, si shtetasit e vendit, ashtu edhe migrantët legalë duhet të kenë mundësi të barabarta për kujdes shëndetësor. Migrantët ilegalë, duhet të kenë akses në shërbimet e urgjencës, pavarësisht statusit të tyre. Me Rregullat Ndërkombëtare Shëndetësore përcaktohet se në pikat e kalimit kufitar rekomandohet instalimi i shërbimeve sanitaro-antiepidemike që do të kenë si mision parandalimin e përhapjes s agjentëve dëmtues të shëndetit (mikroorganizma, substanca toksike, etj,). "Shumica e njerëzve në Europë vdesin nga sëmundje jo-infektive si kanceri, diabeti, sëmundjet e zemrës, aksidentet. Evidentimi i faktorëve të riskut për këto sëmundje dhe luftimi i tyre është beteja e radhës e evropianëve", tha Bejtja.
Ky lajm është publikuar: 24/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›