E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria mirëpret investimet saudite

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti të premten ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, Abdullah Abdulaziz al-Abdulkarim, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, në këtë takim bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite dhe shprehën besimin për vazhdimësinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Presidenti Topi vuri në dukje vullnetin e palës shqiptare në mbështetje të intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të ndërsjellë, sidomos në kuadrin ekonomik, ku Shqipëria mirëpret investime nga sektori privat saudit. Kreu i Shtetit shqiptar duke diskutuar për situatën në rajon dhe rolin moderues e të rëndësishëm të faktorit shqiptar, theksoi se, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ballkani është projektuar drejt integrimit në familjen e madhe evropiane. Presidenti Topi vlerësoi prononcimin e Arabisë Saudite se do të njohë së shpejti Pavarësinë e Kosovës. Nga ana e tij, ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite, duke parashtruar disa nga përparësitë e aktivitetit të tij diplomatik në vendin tonë, vuri në dukje angazhimin për të përmbushur me sukses misionin e tij në shërbim të zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Ky lajm është publikuar: 24/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›