Shqipëria mbështet operacionet e KFOR për vendosjen e rendit në Veri të Kosovës

Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto mori pjesë në Ministerialin e NATO-s në Bruksel
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s, të zhvilluar në Bruksel më 7-8 dhjetor. Në këtë takim, Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare diskutuan për operacionet e NATO-s nëpër botë, duke u fokusuar veçanërisht te operacionet e KFOR-it në Kosovë. Haxhinasto rikonfirmoi mbështetjen e vendit tonë për KFOR-in, duke dënuar aktet e fundit të dhunës kundër kësaj force paqeruajtëse dhe theksoi se KFOR po vepron në Kosovë sipas mandatit të tij. Ministri Haxhinasto mirëpriti marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve, të arritur midis Kosovës dhe Serbisë, gjatë negociatave të fundit në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga BE. Ne, u shpreh Ministri, e kemi mbështetur dialogun, prej fillimit të tij, duke qenë të bindur se ofron zgjidhje të qëndrueshme rreth çështjeve praktike, të lidhura me përmirësimin e kushteve të jetesës të qytetarëve të Kosovës. Më tej, Haxhinasto mbështeti integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe shprehu bindjen se Kosova ka të drejtën e saj legjitime të kontrollojë kufijtë e saj dhe të përforcojë kontrollin doganor. Ai hodhi poshtë çdo ide për ndarje ose shkëmbim territoresh, duke i konsideruar ide të tilla si burim destabilizimi, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. Ministri Haxhinasto nënvizoi se zbatimi i paketës së Presidentit Ahtisari, e cila po pengohet nga strukturat ilegale serbe, është parakusht për një Kosovë të integruar. Në këtë kuadër, shuarja e strukturave paralele ilegale, të mbështetura nga Beogradi, është e domosdoshme për të pasur stabilitet afatgjatë në Kosovë. Gjatë Ministerialit të NATO-s, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme mori pjesë edhe në takimin e Ministrave të Jashtëm të Këshillit NATO-Rusi, të mbajtur më 8 dhjetor. Ministrat e Jashtëm diskutuan rreth çështjeve ndërkombëtare të sigurisë dhe nevojës për çuarjen më tej të bashkëpunimit praktik të Këshillit NATO-Rusi. Gjatë takimit, Ministri Haxhinasto theksoi rëndësinë e Këshillit dhe nevojën për t’u fokusuar në çështje me interes të përbashkët. Ndër të tjera, ai u ndal në sistemin e mbrojtjes raketore, dhe tek fushat, ku duhet të bazohet bashkëpunimi praktik midis NATO-s dhe Rusisë.
...