E Diel, 1 Nëntor 2026

Pianistja Merita Rexha, recital me veprat muzikore të Schumann

>Stina Koncertore e Dimrit, e cila ka filluar në datën 20 dhjetor të vitit 2008 vijon edhe këtë muaj me aktivitete të shumta artistike. Studentët dhe pedagogët e Fakulteti të Muzikës në Akademinë e Arteve përgatiten për koncertet që do të shfaqen gjatë Stinës Koncertore të Dimrit. Nën tingujt e muzikës klasike, nga duart e artistëve të rinj shqiptarë të shoqëruar me pedagogët e tyre do të përcillen për publikun vepra të larmishme artistike që mbajnë emrin e autorëve të njohur botërorë. Në kuadër të këtyre koncerteve në skenën e Akademisë s ë Arteve u shfaq dhe koncerti i pianistes së talentuar Merita Rexha-Tërshana. Në këtë koncert recital, ajo interpretoi vepra të autorëve të njohur botërorë si Robert Schumann. Nën tingujt pianos, publiku ndoqi një prej koncerteve më të mira të kësaj artisteje shqiptare. Merita Rexha-Tërshana është një ndër pianistet me aktive të jetës muzikore shqiptare bashkëkohore. Pjesëmarrëse në pothuaj të gjitha ngjarjet e rëndësishme të muzikës në Shqipëri (Festivali Vjeshta e Tiranës, konkurse të ndryshme, etj.) Ajo zotëron një repertor të gjerë me vepra të gjitha kohërave dhe gjinive që është materializuar në dhjetëra koncerte cilësore jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Ndër të tjera, Merita Rexha Tërshana është interpretuesja e premierave shqiptare të disa veprave bashkëkohore me të vërtetë virtuoze dhe problematike edhe për pianiste me eksperiencë shumë më të madhe, si integralja e veprave për piano të I. Xenakis,etj. Gjithashtu ka luajtur në premiere absolute edhe shumë vepra të kompozitoreve shqiptarë. Për aktivitetin e saj, Merita Rexha-Tërshana është nderuar me çmime të shumta, përmendim këtu mes të tjerave çmimin si interpretuesja më e mirë në Festivalin e Muzikës së Re Shqiptare, 21 -24 maj 1996; çmim në Konkursin e Muzikës Franceze, 12-15 dhjetor 1997, etj. Pasi mbaron studimet në Liceun Artistik Jordan Misja në Tiranë në vitet 1986 - 1990, më pas kryen studimet e larta për piano në Akademinë e Arteve. Më pas kryen edhe disa kurse kualifikimi në Schlesëig Holstein Musik Festival me prof. P. Badura-Skoda (gusht 1995) dhe në Fokëgang Hochschule Essen me Prof. T. Engel (dhjetor 1998). Pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve, emërohet pedagoge në Katedrën e Pianos pranë kësaj Akademie. Ky aktivitetet, i cili vjen nën emrin Stina Koncertore, nga organizatorët e tij është konsideruar si një ngjarje tepër e rëndësishme jo vetëm në drejtim të përmbushjes së misionit të edukimit artistik dhe për Fakultetin e Muzikës por ka një rëndësi të veçantë në drejtim të realizimit të një objektivi, që ka të bëjë me kthimin e Akademisë së Arteve në një qendër të rëndësishme kombëtare të promovimit të vlerave dhe mendimit artistik. Në vijim të kësaj stine në skenën e Akademisë së Arteve do të interpretohen pjesë nga emra të njohur botërorë si: Moxart, Bach, Liszt, Franz, Bellini, Puçnini e të tjerë, për tia lënë më pas vendin një koncerti simfonik.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›