Shqipëria mbyll me sukses presidencës e Këshillit të Evropës
Nishani: Rekomandimet e BE, prioritet për Shqipërinë”
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani duke vlerësuar punën e realizuar nga pala shqiptare përgjatë 6 muajve të kryesimit të presidencës së Këshillit të Ministrave të KiE-së, ritheksoi qëndrimin se rekomandimet e BE-së mbeten prioritet për Shqipërinë. "Shqipëria ka ambicien për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ritheksoj se Këshilli i Evropës ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, në forcimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor në vendin tim. Nga ana tjetër, Presidenca shqiptare e Komitetit të Ministrave na dha mundësinë e madhe për të dhënë kontributin tonë në këto fusha, duke çuar përpara arritjet e kryesive paraardhëse, si dhe duke kontribuar me vlerat më të mira të vendit tonë”, u shpreh Nishani. Kreu i shtetit theksoi se gjatë kësaj periudhe, Shqipëria pati mundësi të tregojë se ka institucione të konsoliduara. “Ne e morëm Presidencën nga demokracia më e vjetër evropiane, Britania e Madhe. Kjo, natyrisht, e shtonte edhe më shumë përgjegjësinë tonë. Por, besoj se kemi ofruar një kontribut të vyer në veprimtarinë e organizatës për realizimin e objektivave e prioriteteve themelore dhe garantimin e reformave të saj, nëpërmjet një agjende të ngjeshur dhe të pasur në tematikë. Shqipëria pati mundësi të tregojë në praktikë se institucionet e saj janë të konsoliduar sa duhet dhe zotërojnë kapacitetet e nevojshme për të përmbushur me sukses një mandat drejtues të një organizate shumëpalëshe, siç është Presidenca e Këshillit të Evropës. Shfrytëzoj rastin, të falënderoj institucionet e Këshillit të Evropës për mbështetjen e pakursyer që kanë dhënë në përmbushjen me sukses të mandatit të Kryesisë shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës”, tha ai. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vuri në dukje se prioritetet e Shqipërisë në planin kombëtar dhe ndërkombëtar mbetet bashkëpunimi rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit, teksa nënvizoi politikat për bashkëjetesën ndërmjet minoriteteve si dhe luftën kundër dhunës në familje. “Një tjetër prioritet i Shqipërisë, si në planin kombëtar ashtu dhe në atë ndërkombëtar është bashkëpunimi rajonal i vendeve të Ballkanit, i cili është më se i nevojshëm për zhvillimin shumëdimensional të tij, në funksion të përshpejtimit të proceseve integruese evropiane. Shqipëria ka luajtur, po luan dhe do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit, nëpërmjet zbatimit të një politike të jashtme pragmatike dhe të balancuar. Ajo do të vazhdojë t’i mbrojë interesat e saj, duke u bazuar në politikën e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal dhe dialogut si mjet për zgjidhjen e problemeve dhe forcimin e mirëkuptimit. Toleranca dhe harmonia fetare, si model i bashkëjetesës në diversitet, janë një shembull unikal për t’u promovuar. Pra, ne kemi realisht çfarë të ofrojmë”, theksoi Nishani. Presidenti shqiptar në përmbyllje të fjalës së tij apeloi rëndësinë e angazhimit të Këshillit të Evropës në Kosovë, për promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor, për t’i ofruar një perspektivë evropiane të gjithë qytetarëve që banojnë atje. “Kosova e sigurt për të gjithë qytetarët e saj evropianë, me institucione të standardeve evropiane duhet të jetë sfidë edhe për Këshillin e Evropës. Ne jemi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për arsye që i kemi bërë të qarta vazhdimisht. Ndërkohë, në kushtet aktuale të një statusi neutral të Këshillit të Evropës për Kosovën, pavarësisht qëndrimeve mbi çështjen e statusit, të gjitha vendet anëtare duhet të mbështesin një prezencë më të madhe të Këshillit të Evropës në Kosovë dhe forcimin e kontakteve direkte në të gjitha nivelet”, konkludoi presidenti Nishani.
...