Nano: S’pres më, do nis lëvizjen për formimin e partisë së re

Edi Rama s’la mbrëmë asnjë mundësi për një marrëveshje me Fatos Nanon, prandaj edhe rruga e mbetur kalon drejt një përçarjeje të re të së majtës. Vetë ish-kryeministri thotë se do kandidojë në zgjedhjet e 2013-s, ndërkohë që paraprakisht, ai ka marrë simpatinë publike të deputetit Arben Malaj
Lëvizja “Fatos Nano kandidat për President”, e iniciuar së fundmi si segment ku janë mbledhur ish deputetë të Partisë Socialiste dhe figura të njohura të së majtës, ka gjetur mbështetje edhe në grupin parlamentar të PS-së. Në fakt, bëhet fjalë për krisje të grupit të Partisë Socialiste, pasi siç dihet Nano ka mjaft simpatizantë brenda selisë rozë, edhe pas 7 vitesh largimi prej aty. Lideri historik i së majtës ka shprehur edhe zyrtarisht ambicien e tij, për të qenë një ndër kandidatët për president të Republikës.
Mësohet se anëtari i kryesisë së PS dhe njëherazi deputeti Arben Malaj ka kërkuar që PS, në kushtet kur ende nuk ka përcaktuar identiktin e një kandidati të saj, të jetë “pro” një kandidimi të mundshëm të Fatos Nanos. “Që në fillim është theksuar se Nano nuk ishte se po kërkonte firma. Bëri diçka shumë transparente, më qytetare, më të dobishme në politikë, ka shprehur një ambicie bazuar në kontributet e tij politike dhe takoi të gjithë liderët politikë. Sigurisht që është një moment që po diskutohet akoma. PS ka kërkuar të ketë takime të drejtpërdrejta me mazhorancën. Duhet patjetër që takimi të bëhet dhe palët të flasin. Në momentin që të diskutohet pastaj për kandidatët potencialë, unë mendoj që PS-ja, - sigurisht që ky është mendimi im dhe jo thjesht vlerësim personal për zotin Nano, bazuar në kontributet e tij në politikën shqiptare, pas momentit të negociatave të para, patjetër do të ishte mirë t’i jepte mbështetje zyrtare kandidaturës së Nanos”, ka deklaruar anëtari i kryesisë së PS, Arben Malaj.
Gjithashtu, bëhet e ditur se ka edhe zëra të tjerë “pro” Nanos në PS, por ai që nuk është shprehur apo ka zënë veshët, është Edi Rama. Përpos të gjithave, atij i intereson një çarje e Partisë Socialiste, pasi do arrinte të largonte edhe disa të tjerë të padëshiruar me idenë se do ia dilte dhe këtë herë, përmes katapultimit të të tjerë 99-shave në radhët e selisë rozë. Në kushtet e një çarje të madhe të grupit parlamentar socialist, Rama është në hall të madh dhe përpos problemeve që e kanë bashkëshoqëruar deri tani, lëvizja e Fatos Nanos do ishte vërtetë fatale për të ardhmen politike të kasnecit të opozitës.
Fatos Nano, ish-kryetar i Partisë Socialiste për rreth 15 vjet, është shprehur se e sheh veten në krye të një lëvizje politike, nëse nuk mbështetet nga Partia Socialiste në aspiratën e tij për të qenë President i Republikës. Përmes dy deklaratave për shtyp, gjatë dy ditëve radhazi, Nano paralajmëron rikthimin në skenën politike pranë PS-së, me qëllim ribashkimin e së majtës dhe rikthimin e atyre vlerave që u zhbënë me ikjen e tij në vjeshtë të 2005-ës.