E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama po bën pazare për Presidentin”

04-06-2012 / Gazeta 55

Fatos Nano reagon për shpërfilljen e kandidaturës së tij nga kreu i PS-së

- Pas paralajmërimit për krijimin e lëvizjes së re politike brenda PS-së, kandidati i vetë-ofruar për President të Republikës, lideri historik i së majtës, Fatos Nano tregon prapaskenat dhe qëllimet e Ramës përmes procesit të zgjedhjes së kreut të ri të shtetit
- “Loja e Kryetarëve, por sidomos loja e Kryetarit të PS-së, Edi Rama, si edhe ata që kanë rënë në kurthin apo janë pjesë e kurthit të kësaj loje qëllim-ligë, taboret e analistëve dhe opinion-deformuesve apo opinion-keq-drejtuesve ka nxitur një zhurmë të paarsyetuar që të krijon idenë se të gjitha fajet i paska Kandidati që vetë-ofrohet Fatos Nano”

Fatos Nano u vetë-ofrua dhe priti me qetësi olimpike që Kryetari i PS-së, Edi Rama të kthjellohet e fillojë të mendoje për vendin më shumë sesa për lojërat e marifetet e pushtetit

Reagimi i dytë i “Lëvizjes së Nanos”
“Fatos Nano ka kurajon, ndërgjegjësimin dhe përgjegjshmërinë qytetare e politike që të shpallë, zhvillojë një ambicie politike dhe një proces për të patur mundësinë që të kandidojë për të shërbyer si President duke u vetë-ofruar në dispozicion të klasës politike dhe publikut shqiptar. Paradakosalisht, politika e krizës dhe konfliktualitetit që mbizotëron e mban Shqipërinë në statusin kur Kryetarët nuk duan të zgjedhin Presidentin, sepse duan të bëjnë pazare e merren vesh sipas traditës jo-perëndimore, për rregulla loje prej nga ku të fitojnë mandate deputetesh e zgjidhin punët e pushtetit. Loja për pushtet dhe mbivlerë të interesave të ngushta politike apo vetjake e Kryetarëve të Partive është bërë një nxitëse dhe ushqyese e krizave si edhe pengesë për zhvillimin e shëndetshëm dhe marrjen e Statusit Kandidat për në BE të Shqipërisë. Loja për pushtet e Kryetarëve, mbizotërohet nga mekanizmat dhe mendësitë meskine prej nga ku ata synojnë të rrëzojnë njeri-tjetrin. Ata luajnë e luftojnë veç për pushtet e motivohen nga dëshira dhe ambicia që ose njëri të mbetet Kryeministër, ose të behet tjetri i cili drejton deri sot Opozitën. Loja e Kryetarëve, por sidomos loja e Kryetarit të PS-së, Edi Rama, si edhe ata që kanë rënë në kurthin apo janë pjesë e kurthit të kësaj loje qëllim-ligë, taboret e analistëve dhe opinion-deformuesve apo opinion-keq-drejtuesve ka nxitur një zhurmë të pa-arsyetuar që të krijon idenë se të gjitha fajet i paska Kandidati që vete-ofrohet Fatos Nano. Ndoshta kanë të drejtë deri në një farë pike sepse me shumë gjasa është Fatos Nano ai që po u prish punë Kryetarëve që të bëjnë pazare e të merren vesh për lojëra e marifete pushteti. Fatos Nano u vetë-ofrua dhe priti me qetësi olimpike që Kryetari i PS-së, Edi Rama të kthjellohet e fillojë të mendoje për vendin më shumë sesa për lojërat e marifetet e pushtetit. Por, Edi Rama nuk rreshti së bëri lojëra e marifete pushteti duke ushqyer krizën, shantazhin, ndaj palëve të tjera politike e duke shpërfillur dhe anashkaluar Fatos Nanon. Ngurrimi i pa-arsyetuar politikisht, demokratikisht dhe moralisht i Edi Ramës për të mbështetur Fatos Nanon, ra në nivele të tilla mospërputhjeje me respektin dhe vlerësimin e merituar të sensibiliteteve njerëzore e politike, a thua se ky njeri, Fatos Nano, nuk ka qenë kurrë Kryetar i PS dhe Kryeministër i vendit disa herë. Fatos Nano në asnjë rast, në asnjë deklaratë, në asnjë akt nuk ka kërcënuar. Fatos Nano me takimet, deklaratat dhe aktivitetin e tij të ditëve të fundit, ka shpallur vendosmërinë e tij për të mbrojtur dinjitetin e tij, por edhe të atyre që duan që në Shqipëri të ketë konkurrencë të lirë e të ndershme, pjesëmarrje të publikut, transparencë dhe transformim evropianizues. Fatos Nano nuk ka bërë shantazh, e as shtrëngim dhembesh. Fatos Nano ka dëshmuar se politikës së krizës dhe shpërfilljes së Edi Ramës, nëse Edi Rama nuk reflekton e kthjellohet, do t’i kundërpërgjigjet me konkurrim dhe dinjitet. Demokracia është konkurrencë dhe dinjitet. Kush nëpërkëmb dinjitetin e cilitdo qytetar e aq më tepër të ish-Kryetarit të PS dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, e meriton të ballafaqohet me kostot e konkurrencës me dinjitet. E megjithatë lëvizja e Nanos nuk është as kërcënim e as shantazh, por ftesë për reflektim e kthjellim për Edi Ramën, ose ftesë për konkurrim me dinjitet. Fatos Nano është i gatshëm të konkurrojë për të qenë President Konsensual, sikurse është i gatshëm të konkurrojë në një garë të lirë dhe të ndershme në Kuvend ku votat e deputeteve nuk do të zgjedhin një President me urdhëra Kryetaresh, por një President të vullnetit të lirë dhe dinjitetit të Deputetëve. Njëkohësisht, Fatos Nano është i gatshëm dhe i vendosur që, nëse do të pengohet arbitrarisht dhe pashpjegueshmërisht në mundësitë e tij për të garuar për President, atëherë do t’i vetë-ofrohet publikut dhe qytetarëve shqiptarë për të konkurruar me të gjithë Kryetarët e derisotëm për zgjedhjet e vitit 2013 bazuar në një alternativë të qartë vlerore, paqe-bërjeje, jo-krize, properëndimore, pro-europiane, pro-integrim, konstruktive, bashkërenduese, bashkëpunuese, komunikative, mirë-besues, gjithëpërfshirëse dhe pro-zhvillimit të shëndetshëm. Konkurrenca e lirë dhe e ndershme, pjesëmarrja e publikut dhe transparenca janë në themelin dhe shpirtin e qëllimeve dhe vizionit politik të Fatos Nanos”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›