“Shqipëria me hapa të sigurt drejt liberalizimit të vizave”

Lulzim Basha: Sulmet e opozitës ndaj sigurisë rrugore, nga dëshira për të nxirë realitetin
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka deklaruar se autoritetet shqiptare kanë plotësuar kushtet e komisionerëve evropianë, për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.
I pyetur nga mediat e pranishme lidhur me afatin e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë, ministri Basha u përgjigj se “Shqipëria është një nga vendet më të mira për të parë me sytë tanë atë që kanë parë edhe ekspertët, një “schengenizim” të plotë të Policisë Kufitare të Shqipërisë, një europianizim të plotë të Policisë së Rendit, Policisë Kriminale dhe një reformë e cila ka filluar para disa muajsh, që do të vazhdojë dhe do të garantojë një përmirësim 100 për qind brenda dy vitesh të performancës së Policisë Rrugore”.
Jam i bindur se këto hapa, janë hapat e një vendi që shkon i sigurt drejt anëtarësimit në BE, dhe Po, pres që të përmbyllim brenda këtyre muajve heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë”, deklaroi më tej, ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Këto deklarime, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha i bëri gjatë inspektimit dje të punës dhe veprimtarinë e strukturave policore të Qarkut Durrës në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik.
Në takimin me drejtuesit kryesorë të policisë së Qarkut Durrës, ministri Basha shprehu vlerësimet e tij për punën e kryer në drejtim të forcimit të rendit e sigurisë, krijimin e një ambienti të qetë e të sigurt për pushuesit, lehtësimin dhe kontrollin e rreptë të qarkullimit rrugor dhe goditjen e autorëve të veprave kriminale. Pasi inspektoi veprimtarinë e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar në portin e Durrësit, ministri Basha evidentoi faktin se si kushtet e punës për punonjësit e policisë ashtu edhe kushtet e shërbimit për qytetarët janë në parametrat më të mirë sot të aplikueshëm në zonën “Schengen”.
“E mira e çdo lajmi të mirë të Policisë është të krahasohemi me praktikat e mëparshme dhe të shohim përmirësimet, por sfida është që me çdo përmirësim vendoset një standard i ri dhe çdo rrëshqitje poshtë këtij standardi është e papranueshme për qeverinë, për Ministrinë e Brendshme”, tha ministri Basha.
Duke sjellë në vëmendje deklaratën e kryeministrit Berisha se për herë të parë numri i turistëve këtë vit ka kaluar numrin e banorëve të vendit, ministri Basha u shpreh se “ndonëse kjo në vetvete e ka konfrontuar Policinë e Shtetit në çdo cep të vendit me sfida shumë më të mëdha se çdo herë tjetër, falë përkushtimit, punës profesionale dhe dedikimit të gjithë resurseve njerëzore, punës me orar të zgjatur të oficerëve dhe punonjësve të Policisë në çdo cep të vendit, nuk është përkthyer në një realitet stresant, por është përkthyer në një realitet parametrat e të cilit janë edhe më mirë se viti i kaluar qoftë kjo në trajtimin që bëhet në Pikat e Kalimit Kufitar, ku PKK e Durrësit është nga më kryesoret, qoftë kjo për sa i përket qarkullimit rrugor ku shifrat tregojnë qartë që përdorimi i arterieve kryesore rrugore nga një numër shumë më i madh automjetesh sesa viti i kaluar, në fakt nuk ka shkaktuar të njëjtin numër aksidentesh, por një numër të zvogëluar aksidentesh me pasojë vdekjen, përmenda rastin e Tiranë-Durrës ku numri i aksidenteve me pasojë vdekjen vitin e kaluar ka qenë 17, këtë vit 3. Dhe nga ana tjetër situata e përgjithshme e rendit, sigurisë dhe luftës kundër krimit tregon përmirësim të konsoliduar në çdo cep të vendit, veçanërisht ku jemi sot në Qarkun e Durrësit”, vuri në dukje më tej, Basha.
Ministri i brendshëm reagon ndaj akuzave të opozitës për sigurinë në rrugë
Ministri i Brendshëm vlerësoi si të pabaza dhe të qëllimshme akuzat e opozitës lidhur me sigurinë rrugore. Partia Socialiste prej ditësh me radhë, në pikun e sezonit turistik, ka tjerrë akuza që flasin për një panik gjatë udhëtimeve nëpër akset kombëtare. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha tha se opozita dëshiron të konfrontojë realitetin, ndërsa u shpreh se Policia Rrugore ka bërë një punë të shkëlqyer në minimizimin e aksidenteve. Sipas ministrit, pretendimet e opozitës për të përcjellë alarm fals, janë të destinuara të injorohen nga opinioni publik. “Shifrat flasin vetë dhe nuk ka asgjë më të varfër sesa të bazosh qëndrimin tënd mbi sajime dhe sajesa. Statistikat e Shqipërisë sa i përket luftës kundër krimit dhe situatës së rendit janë subjekt i një inspektimi të përditshëm nga misionet policore europiane këtu në Tiranë dhe një inspektimi të përmuajshëm nga Komisioni Europian, ç’ka së shpejti do të çojë edhe në një vendim të shumëpritur, siç është ai i heqjes së vizave. Kushdo të pretendon apo dëshiron të konfrontojë këtë realitet, përmirësimi galopant i të cilit po na çon edhe në këtë vendim historik me dëshirën për të nxirë realitetin do të dalë shumë fals para opinionit publik, siç edhe ka qenë rasti në mënyrë të përsëritur me ata që kanë abuzuar me lirinë e fjalës”, u shpreh ministri Basha.