Deklarata/Marrëveshja e Ohrit, progresi për të drejtat e shqiptarëve duhet të vazhdojë edhe më tej
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, ka komentuar gjatë një interviste për gazetën “Illyria”, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Meta ka theksuar se nevojitet ende punë për garantimin me ligj të të drejtave dhe lirive themelore, duke e konsideruar këtë si themelore për paqen dhe stabilitetin. Sipas tij, progresi është substancial, por ky progres duhet të shkojë edhe më tej, pasi Marrëveshja e Ohrit ende nuk është realizuar në masën e duhur.
“Ne mendojmë se Marrëveshja e Ohrit ende nuk është realizuar në atë masë që do të dëshironte komuniteti shqiptar atje. Por, njëkohësisht ne mendojmë se që nga koha kur u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, është bërë një progres substancial i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe ky është një progres që duhet të vazhdojë edhe më tej”, u shpreh zëvendëskryeministri Ilir Meta.
Ai vuri në dukje se mesazhi i Tiranës ka qenë dhe mbetet tepër solid, që Marrëveshja e Ohrit është një kuadër i domosdoshëm, zbatimi i plotë i së cilës përmirëson më tepër raportet ndëretnike në Maqedoni dhe plotëson edhe më tej shumë të drejta të parealizuara të shqiptarëve në bazë të Marrëveshjes së Ohrit.
“Sigurisht që ka vështirësi. Unë pak javë më parë, në fund të muajit korrik kam qenë për vizitë zyrtare në Maqedoni. Jam takuar me të gjithë udhëheqësit e Maqedonisë dhe me të gjithë udhëheqësit shqiptarë atje. Ndërkohë, krerët e partive kryesore shqiptare kanë qenë në Shqipëri, janë takuar me drejtues të Shqipërisë. Në këtë drejtim, mesazhi ka qenë i qartë: Duhet më shumë bashkëpunim midis të gjitha forcave politike shqiptare, për të kërkuar implementimin korrekt të Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimin e të gjithë atyre ligjeve dhe vendimeve të rëndësishme”, deklaroi më tej, kryediplomati shqiptar, Ilir Meta.