Albana Vokshi: ILDKP ka deklaruar se s’kam detyrime ligjore të paplotësuara, Edi Rama shpif në mënyrë të vullnetshme
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka reaguar dje në përgjigje të akuzave të Partisë Socialiste për përfshirje të saj në afera korruptive si dhe shkelje të ligjit për deklarimin e pasurisë. Deputetja demokrate tha se akuzat lidhur me “Vizion Construction”, janë tërësisht të pabaza pasi është vetë Edi Rama ai që zotëron 20 për qind të ndërtimit në zonën prioritare përmes sekserit Tan Lepri.
Realisht, dokumenti që zbulon këtë marrëveshje është publikuar nga gazeta “55” vetëm pak ditë më parë, në intensitetin më të lartë të akuzave politike nga Edi Rama dhe njerëzit e tij.
“Sqaroj opinionin se subjektet detyrohen nga Edi Rama që në përfitim të lejeve të ndërtimit t’i japin atij pjesën përkatëse. Konkretisht Edi Rama e di që në truallin ku kjo kompani ka kontratë me pronaret ai zotëron 20 për qind të ndërtimit, në emër të sekserit të tij Dritan Avllaj, i njohur në Tirane si Tan Lepri. Dokumenti që vërteton këtë ortakëri u publikua dhe në median periodike. Askush, nuk mund të shkelë dot mbi dinjitetin dhe personalitetin tim dhe te familjareve te mi. Ndaj, për të gjitha ato që përmenda më lart, për të gjitha ato që di dhe nuk kam folur ende, për të gjithë dëmin moral mbi mua dhe familjen time, si dhe për dëmin e madh material që po shkaktohet çdo ditë nga sulmet denigruese, deklaroj dhe siguroj që të gjithë personat përgjegjës, duke filluar nga Edvin Rama, do të përgjigjen para ligjit”, vijon më tej në reagimin e saj publik, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi.
Deputetja e PD-së premton se do të denoncojë publikisht me dokumente dhe fakte reale, korrupsionin e Edvin Kristaq Ramës dhe personave që me të i lidhin interesat e mëdha materiale financiare.
“Mjaft më me shpifje dhe sulme te turpshme, Edvin Rama. Gjej rastin të sqaroj në lidhje me akuzat për mosdeklarim të pasurisë sime, se çdo deklarim timin që nga viti 2005 e deri më sot e kam bërë duke respektuar me përpikmëri legjislacionin në fuqi. I kam kërkuar personalisht Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive që të shqyrtojë deklarimet e mia të pasurive të të gjitha viteve. Vetë Drejtuesi i këtij institucioni, në prononcimin e tij për media, ka deklaruar që legjislacioni në fuqi nuk vë asnjë detyrim ndaj meje që të deklaroj pasuritë e personit me të cilin bashkëjetoj”, tha Vokshi.
Ajo i bëri thirrje kryesocialistit, që të respektojë ligjin të bëjë deklarimin real të pasurisë së tij.
“Do t’i kërkoja zotit Rama që të bëjë ai vetë, i pari, deklarimin real jo vetëm të pasurive të tij, por edhe të personave me të cilët ai ka bashkëjetuar dhe bashkëjeton”, vijoi deputetja Vokshi.
Deputetja e Partisë Demokratike tha se shifra e pretenduar nga njerëzit e Ramës, për 4 miliardë dollarë gjoja dhuratë nga Qeveria, është një marrëzi më vete, pasi 4 miliardë dollarë janë gati gjysma e Prodhimit të Brendshëm vjetor të Shqipërisë.
“Bëhesh qesharak Edvin Rama në lidhje me të ashtuquajturën pasuri prej 4 miliardë dollarësh, gjoja dhuratë që më është bërë nga Kryeministri, gënjeshtër që as fëmijët nuk e besojnë. A e di ti që kjo shumë është gati sa gjysma e Prodhimit të Brendshëm vjetor të Shqipërisë? Apo ndikimi i simulantëve që përdor ta bëjnë të pamundur këto përllogaritje?”, vuri në dukje deputetja Vokshi.
Lidhur me pretendimet e PS-së për abuzime me kompaninë Stream Oil & Gas, deputetja Vokshit thotë se është e turpshme të sulmohet një kompani publike kanadeze, e listuar në bursën e Torontos që financohet nga disa prej investitorëve më të fuqishëm në botë JP Morgan, Haywood etj,. në fushën e hidrokarbureve, energjisë etj,. e që për shkak të seriozitetit të tyre nuk do të pranonin asnjëherë që të bëheshin pjesë e asnjë korrupsioni qeveritar. “Deklaratat publike të kohëve të fundit rreth ‘Stream’ janë dëshmi e sulmeve ndaj investitorëve të huaj dhe e dëshirës së Edi Ramës për t’i larguar ata. Dhe nuk është hera e parë që ndodh kjo”, sqaron deputetja e PD.