“Karteli i ndërtimit të kryebashkiakut Rama po betonizon Parkun e Liqenit”

Në emër të qytetarëve të Tiranës, deputeti i PD-së denoncon aferat e dyshimta të kryebashkiakut
Partia Demokratike jep alarmin se njerëz të afërt dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Edi Ramës, të lidhur me klanet e ndërtimit, kanë planifikuar ndërtimin e pallateve shumëkatësh në zonën e Parkut të Liqenit artificial, në një kohë kur kjo pjesë vitale është konsideruar si mushkëria e kryeqytetit. Deputeti i Partisë Demokratike, Florjon Mima u shpreh dje se Bashkia e Tiranës do të betonojë 130 mijë m2 sipërfaqe në afërsi të Liqenit Artificial ku e drejta e ndërtimit i është dhënë njerëzve të afërt të kryebashkiakut Rama. “U12-07 është kodi i një sipërfaqeje të parashikuar për t’u betonuar nga bashkia e Tiranes, e cila shtrihet në një nga zonat më të bukura të kryeqytetit, në afërsi të kodrave të Liqenit Artificial, Kopshtit Zoologjik dhe parkut të lodrave pranë Aquadronit. Aty përfshihet një sipërfaqe e studiuar për t’u betonuar prej rreth 130 mijë m2. Nga këto, mbi 90 për qind u është akorduar njerëzve të afërt, madje shumë të afërt të kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe, jo pa qëllim, një sipërfaqe fare e vogël, është rezervuar edhe për firma që nuk kanë lidhje me të. Intensiteti i ndërtimeve në këtë zonë pritet të jetë ndër më të lartat në vend, jashtë çdo lloj parametri ligjor”, u shpreh Mima.
Deputeti demokrat tha se qytetit të Tiranës i kanoset një masakët e vërtetë urbane dhe për shmangien e saj, kërkoi ndërhyrjen e kryeministrit Berisha.
“Në emër të deputetëve të qarkut të Tiranës, duke parandjerë masakrën urbane që pritet të ndodhe edhe në këtë zonë ashtu si në të gjithë Tiranen, i kërkojmë kryeministrit të vendit, i cili është njëherazi edhe kreu i KRRTRSH, të marrë masa urgjente për ta shndërruar këtë zonë nga një zonë me intensitet të lartë ndërtimi në një zonë me intensitet të lartë rekreacioni, shplodhjeje e argëtimi, në harmoni edhe me pjesën tjetër të zonës, kodrat, liqenin artificial, pishinat, parqet botanike dhe zoologjike etj., duke ndihmuar kështu në ruajtjen dhe konservimin e një zone publike në shërbim të një metropoli prej afër 1 milion banoresh”, deklaroi deputeti i Partisë Demokratike, Florjon Mima.