E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë jo si gjykata e Rushbullit

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Gjykata e Lartë nuk do të quhej më Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, po do të quhej gjykata e Rushbullit. Nuk dua të përmend emra konkretë. Por nuk do ta quaja pozitiv faktin se në kohën që flitet për karrierën e gjyqtarëve, në listën prej 6 emrash të ketë vetëm një gjyqtar me karrierë normale”

Sekretari për Çëshjet Politike i Partisë Socialiste, njëkohësisht nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, kundërshton dekretet e reja të Presidentit lidhur me Gjykatën e Lartë. Sipas tij, emrat e zgjedhur nuk plotësojnë kriteret e nevojshme duke pasur parasysh se vetëm njëri prej tyre është gjyqtar. Madje, ai ironizon duke pohuar se Gjykata e Lartë me emra të tillë do të quhej gjykata e Rushbullit. Xhafa shprehet se ky është mendimi i tij personal duke mos përcaktuar votën e Grupit Parlamentar socialist. Ai pohon më tej se përzgjedhja e keqe jo e një anëtari të Gjykatës së Lartë, por edhe e një gjyqtari të thjeshtë të sistemit të drejtësisë do të dëmtonte imzazhin e tij. Deputeti i PS-së, megjithatë vlerëson faktin se në listën me 6 emra, 3 prej tyre janë femra.
Qëndrimi
“Gjykata e Lartë nuk do të quhej më Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, po do të quhej gjykata e Rushbullit. Nuk dua të përmend emra konkretë. Por nuk do ta quaja pozitiv faktin se në kohën që flitet për karrierën e gjyqtarëve, në listën prej 6 emrash të ketë vetëm një gjyqtar me karrierë normale”, - pohoi dje Xhafa. Gjithsesi ai thekson se ky është mendimi i tij dhe ende nuk dihet se si do të votojnë socialistët në Kuvend. Ai pohon më tej se brenda kandidaturave që ka propozuar Presidenti i Republikës, ka emra të mirë që realisht meritojnë respekt. “Po kjo nuk do të thotë që tre të mirë dhe tre të këqij dalin barazim. Unë mendoj se një njeri i vetëm në Gjykatë të Lartë, edhe në gjyqësor, në shkallën e parë të gjyqësorit nuk është krejt një individ, po është një vendimmarrje”, - theksoi nënkryetari socialist i Komisionit të Ligjeve. Por Xhafa përsëri nuk shprehet tërësisht pesimist për dekretet, ndërsa pohon se mes emrave ka kandidatë me integritet profesional, ashtu siç vlerëson faktin se 3 prej 6 kandidaturave janë femra. Ai vlerëson procesin e zgjedhjes së kandidatëve, por shton se duhet parë përtej dekreteve dhe duhet të ketë reflektim, nëse realisht duam në drejtësi të pavarur. “Ka vlera që i çmoj, por nëse ka njerëz që nuk njihen as në gjykatën e tyre apo që nuk dalin dot përtej mureve të gjykatës, kjo më vë në dyshim. Nuk është çështje rrëzimi apo pranimi emrash”, - përfundoi ai. Tri ditë më parë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi 6 emra të rinj për anëtarë të Gjykatës së Lartë pas rrëzimit të dekreteve të para të tij. Topi zgjodhi mes 105 aplikantëve. Vendimi i tij u mor pas punës vlerësuese të bërë nga një grup ekspertësh, të cilët përcaktuan kriteret ligjore të kandidatëve. Ekpertët morën dhe propozimet konkrete nga partitë politike lidhur me kriteret dhe vetëm pas shqyrtimit të gjithë këtyre vlerësimeve përcaktuan kriteret bazë. Pak kohë më parë Kuvendi rrëzoi 5 emrat e propozuar nga presidenti Topi për Gjykatën e Lartë. Vendimi u mor vetëm me votat e mazhornacës ndërsa opozita ishte pro tyre. Por duket se emrat e rinj mund të kenë edhe më shumë vota kundër. Edhe pse këtë herë do të jetë më e vëshirë për kalimin e emrave në seancë pas ndryshimit të rregullores së Kuvendit. Rregullat e reja për punën e Parlamentit bëjnë që kandidatët fillimisht t u nënshtrohen seancave dëgjimore në Komisionin e Ligjeve. Vetëm pasi të marrin aprovimin e tyre mund të kalojnë për votim në seancë plenare.
Ky lajm është publikuar: 11/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›