E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSA, Shqipëria model për Bosnjë-Hercegovinën

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Parlamentit të Bosnjë-Hercegovinës, Niko Lozançiç, gjatë një takimi me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, vlerësoi përshpejtimin nga Shqipëria të MSA-së me BE-në, duke e konsideruar atë një model për vendin e tij. “Vlerësimi që BE i ka bërë Shqipërisë, e bën atë një model suksesi për Bosnje Hercegovinën dhe të gjithë vendet e rajonit, të cilat mund të përfitojnë nga përvoja e saj në reformat e guximshme e me kurajo që ka ndërmarrë”, - tha Lozançiç. Nga ana e saj, kryetarja Topalli shprehu bindjen se afërsia gjeografike do të intensifikojë bashkëpunimin dypalësh. Biseda u ndal edhe në liberalizimin e vizave, ku dy homologët ndanë mendimin se duhen harmonizuar nismat për liberalizimin e vizave mes vendeve të rajonit, në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor janë në fazën e negociatave për këtë çështje me vendet e BE-së. Po dje Topalli zhvilloi një takim dhe me Kryeministrin e Bosnjë-Hercegovinës, Nikola Spiriç. Gjatë takimit u theksua se Bosnjë- Hercegovina dhe Shqipëria do të forcojnë më tej bashkëpunimin ekonomik, do të inkurajojnë investitorët për bashkëpunim reciprok dhe do të rrisin marrëdhëniet politike në nivelin më të lartë, si dy vende në të njëjtën perspektivë rajonale. Spiriç përgëzoi Shqipërinë për ratifikimin e MSA-së në shumicën e vendeve anëtare dhe për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. “Ju nënshkruat protokollin për anëtarësim në NATO dhe kjo është shumë e rëndësishme edhe për vendet e tjera të rajonit. Dy vendet tona, në bashkëpunim edhe me vendet e rajonit, duhet të unifikojnë përpjekjet për ndryshimin e perceptimit për Ballkanin”, - theksoi ai. Regjimi i vizave dhe hapja e ambasadave ishin tema kryesore dhe në takimin që kryetarja Topalli zhvilloi me ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnje-Hercegovinës, Sven Alkalaj. “Hapja e ambasadës në Shqipëri është një prioritet yni. Vendet tona mund të bashkëpunojnë në shkëmbime tregtare, turizëm e investime reciproke”, - tha ministri Alkalaj.

Ky lajm është publikuar: 11/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›