E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria miqësore“ e dy autorëve gjermanë

Autori i Lajmit: Ibraim Akipi
Autorët gjermanë Doris dhe Jürgen Sieckmeyer, ishin për shtatë muaj në Shqipëri dhe me t u kthyer shkruan një libër. Autorët nuk ishin si turistë të rëndomtë në Shqipëri. Interesimin dhe përshtypjet e tyre i vulosën me fotografi dhe tekst në librin “Shqipëria miqësore“. Libri përbëhet kryesisht nga fotografi të formatit të madh, të bëra në gjithë Shqipërinë, nga panorama e peizazhe të ndryshme që dëshmojnë shumëllojshmërinë dhe bukurinë e këtij vendi. I ndarë në disa kapituj, si: Malet, Bregdeti, Qytetet, Fshatrat dhe Njerëzit, libri ofron një panoramë të gjerë me fotografi dhe shënime për atë që e bën Shqipërinë të veçantë. Edhe më të veçantë e bënë librin këndvështrimi i autorëve nga Gjermania, të cilët në radhë të parë e patën vështrimin e mysafirëve.
Paragjykimet
"Egzistojnë shumë paragjykime negative, sa i përket imazhit të Shqipërisë, këtu në Evropën Perëndimore. Kur u tregonim miqve tanë se bëjmë një libër për Shqipërinë, të gjithë thoshin se ajo është një vend i varfër dhe i pluhurosur. Por ne në Shqipëri gjetëm diçka krejtësisht tjetër. Jo një vend të pluhurosur, por me natyrë shumë të bukur, me peizazhe përrallore. Në të vërtetë në Shqipëri ka varfëri materiale, por kjo dukuri është gjithnjë e më prezente edhe në Evropën Perëndimore. Unë ndieja se njerëzit janë të mbushur plot me energji pozitive dhe shikojnë drejt ardhmërisë, që është një pasuri e madhe për këtë vend. Shpresoj se ky libër do t i thyejë shumë paragjykime të gabuara, që janë larg realitetit të atjeshëm",- thotë Doris Sieckmeyer.
Paragjykimet e përmendura nuk shihen në fotografitë e Jürgen Sickmeyer-s. Përkundrazi aty shihen pamje të bukura nga bregdeti, liqenet, qytetet e vjetra me pamje romantike, të cilat janë të shpallura “qytete-muze” nga UNESCO, si Gjirokastra e Berati...
Bie në sy se libri tematizon thuajse vetëm anët e bukura të Shqipërisë, kështu që ai mund të kritikohet për shkak të njëanshmërisë.
"Unë mora qëllimisht një këndvështrim subjektiv. Sigurisht që kisha mundur të paraqes një imazh më negativ të Shqipërisë, por të njëjtën gjë do ta arrija, nëse doja, edhe në Berlin apo Munih. Qëllimi ynë është t i luftojmë paragjykimet dhe të nxisim kureshtjen në Evropën Perëndimore për Shqipërinë.
Më gëzuan disa telefonata nga njerëzit që kanë lexuar librin dhe kërkojnë këshilla dhe rekomandime nga ne. Ky ishte qëllimi dhe si duket ia kemi arritur",- thotë Jürgen Sickmeyer.
Kontrastet e Shqipërisë
Megjithatë, në libër ka dhe anë negative, siç janë mangësitë në infrastrukturë dhe shërbimet komunale. Në këtë aspekt duhet bërë edhe më tepër, thonë autorët.
"Shumë interesante ishin për ne kontrastet që paraqiteshin papritur. Atje nuk duhet udhëtuar shumë për të parë diçka të re. Natyra, arkitektura, por edhe njerëzit ndryshojnë shumë prej një qyteti në qytetin tjetër, edhe pse largësia mes tyre është e vogël. Gati mbas çdo udhëkryqi të befason diçka e re. Kjo më ka pëlqyer shumë. Është shumë interesante për ne perëndimorët. Në Gjermani ka për çdo imtësi ligje dhe norma të caktuara, andaj edhe pamjet janë disi homogjene",- pohon ai.
Shqipëria paraqitet si një vend përplot me kontraste mes traditës dhe modernes, që me vrull po zhvillohet drejt Evropës moderne. Kontrastet të këtilla shihen si në fotografi edhe në tekstin e shkruar.
"Është shumë vështirë të vendosësh për titullin e një libri. Titulli duhet të përmbledhë e të reflektojë të gjithë përmbajtjen e tij. Në shumicën e rasteve vendoset për titullin pasi libri është përfunduar. Por në këtë rast ndodhi e kundërta. Qysh në fillim të punës dhe qëndrimit tonë në Shqipëri e kishin të qartë se do të quhet “Shqipëria miqësore“. Nuk mund ta besosh se sa shumë njerëz të ndershëm e mikpritës takuam atje. E para që më kujtohet në lidhje me Shqipërinë janë njerëzit e ndershëm dhe të përzemërt",- pohon Doris Sickmyere.
"Shqipëria është shumë e bukur!"
Autorët pohojnë se sërish do të udhëtojnë në Shqipëri. Të ardhmen e saj e shohin më të zhvilluar dhe në Evropën e bashkuar moderne. Jürgen Sickmeyer thekson: "Mua më pëlqen Shqipëria, ashtu siç është sot. Ky vend do të zhvillohet edhe më shumë, sidomos në fushën e turizmit, por për ne është më interesant kur nuk ka aq shumë turistë. Kështu e ndiejmë më tepër kulturën origjinale të vendasve."

Ky lajm është publikuar: 25/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›