Kryesuesi i listës së qarkut Gjirokastër, Genc Ruli zhvillon takime me intelektualë të qytetit

“Alternativa jonë është alternativa e fitores dhe e Shqipërisë Evropiane”
Kryesuesi i listës së Gjirokastrës ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli zhvilloi mbrëmë një takim me intelektualë të qytetit, ku deklaroi se PD hyn në këto zgjedhje me objektiva të qartë si e vetmja alternativë që ka një program konkret dhe me synime të qarta për fitoren më 28 qershor, për të vazhduar ndryshimin e Shqipërisë.
Ruli u shpreh se në vetëm katër vite Partia Demokratike ia arriti të dyfishojë pagat dhe pensionet, të shumëfishojë investimet në infrastrukturë, duke ndërtuar 5000 km rrugë, ndërtimin e 1012 shkollave, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, aplikimin për statusin kandidat në BE dhe liberalizimin e shpejtë të vizave Shqipëri-BE.
Kandidati i PD-së u shpreh më tej se mandatin e ardhshëm qeveria e Partisë Demokratike do të hapë 160 mijë vende të reja pune, do të rrisë dhe më tej pagat dhe pensionet për të parakaluar edhe 6 vende të BE, ndërtimin e plotë të infrastrukturës dhe përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim të plotë në BE.
Në vijim të takimeve, kandidati i PD-së për qarkun e Gjirokastrës Genc Ruli zhvilloi një takim edhe me banorë të Libohovës, të cilëve u kërkoi mbështetjen në zgjedhjet e 28 qershorit, sepse, sipas tij, vota pro PD-së është siguri për të ardhmen.
Ministri i Ekonomisë u tha votuesve se investimet e qeverisë Berisha gjatë këtyre katër viteve kanë bindur jo vetëm përkrahësit e PD-së por edhe të majtët për seriozitetin e punës së qeverisë. Ruli tha se përballë zërit të fuqishëm demokrat, PS ka kandiduar figura që nuk e meritojnë të përfaqësojnë qarkun e Gjirokastrës.
“Ne e meritojmë të fitojmë, ne meritojmë të kemi mbështetjen e qytetarëve të Gjirokastrës, jo vetëm për ato që kemi bërë, por më shumë, për ato që do të bëjmë 4 vitet e ardhshme. Një nga prioritetet tona do të jetë zhvillimi i infrastrukturës rrugore në zonat rurale, krahas punësimit dhe rritjes së vazhdueshme të rrogave dhe pensioneve”, tha Ruli në Libohovë.
...