E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Uidhers përgëzon transparencën e KQZ-së

Autori i Lajmit: Suela Topi
Deklarata

Ambasadori amerikan në vendin tonë, Xhon Uidhers, përgëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për punën e bërë deri tani lidhur me përgatitjen e procesit zgjedhor. Ai gjithashtu nxiti këtë institucion që të vazhdojë të përmbushë detyrat e tij në mënyrë profesionale e të paanshme. Edhe ambasadori i OSBE/ODHIR, Robert Bosh, ka përgëzuar Arben Ristanin, si Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për “punën dhe mundin e tij në përgatitjen e këtyre zgjedhjeve, si dhe për përpjekjet për ta orientuar procesin në ujëra të qeta”. “Ne i vlerësojmë përpjekjet tuaja për ndërtimin e një konsensusi në vendimet tuaja dhe mezi presim të shohim që ta arrini këtë sidomos në lidhje me qendrat e votimit dhe të numërimit, ku rregullat e Kodit Zgjedhor do të duhet të respektohen në mënyrë të rreptë, teksa i afrohemi gjithmonë e më shumë 28 Qershorit dhe periudhës pas tij”, - tha Bosh. Komentet e tyre u bënë gjatë prezantimit të projektit për publikimin e rezultateve direkt të zgjedhjeve, i cili do te realizohet nga dy kompani shqiptare: ECA dhe KRIIK. Ndërkohë në vijim të deklaratës së tij, ambasadori amerikan i ka kujtuar dhe një herë politikës se këtë herë nuk mund të gabojë. Diplomati amerikan ka bërë të qartë se SHBA nuk do të lejojë të manipulohen zgjedhjet, pasi do të vëzhgohet çdo detaj i 28 Qershorit.
Deklarata
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve meriton të përgëzohet për një inkurajim të një niveli të madh të transparencës në këto zgjedhje dhe për përpjekjet që ka bërë për ta bërë vendin gati për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Nxis KQZ që të vazhdojë të përmbushë detyrat e tij në mënyrë profesionale e të paanshme”, - tha dje Uidhers. Ai theksoi se SHBA mbështet nismën e shoqërisë civile për të dhënë direkt rezultatin e zgjedhjeve, por theksoi se rezultati zyrtar jepet vetëm nga KQZ. Ndërsa shtoi se mbështetja e SHBA-së për këtë procesi është për faktin e vetëm se qytetarët shqiptarët duhet të jenë arbitrat e zgjedhjeve në vendin e tyre. Ambasadori amerikan pohoi se kur vëzhguesit ndërkombëtarë të kenë bërë gati valixhet dhe të jenë larguar, janë qytetarët shqiptarë ata që mbesin këtu për të shërbyer si roje të integritetit zgjedhor, prandaj roli i tyre është i rëndësishëm. “Si vëzhgues zgjedhorë besoj se ju e kuptoni rolin që shoqëria civile duhet të luajë në këto zgjedhje. E kuptoni që pranimi nga publiku i rezultateve të zgjedhjeve varet nga një proces, i cili shihet si transparent, i lirë dhe i ndershëm. Ju e kuptoni që zgjedhjet që nuk përmbushin standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, mund të pengojnë perspektivën euroatlantike të Shqipërisë”, - tha ai. Uidhers më tej, duke iu drejtuar zgjedhësve shqiptarë, u bëri thirrje atyre që do të marrin pjesë në votimet e 28 Qershorit. “Unë u kërkoj të gjithë votuesve që të ushtrojnë të drejtën më të çmuar civile, të drejtën për të votuar dhe u them atyre: mos kini frikë të votoni! E thënë sinqerisht, të gjithë e dimë, që zgjedhjet në të kaluarën në Shqipëri nuk i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare. Si anëtare e re e NATO-s, Shqipëria në këto zgjedhje duhet t i plotësojë këto standarde. Praktikat manipuluese të së shkuarës nuk duhet të përsëriten më”, - tha ai. Diplomati amerikan kërkoi gjithashtu që të informohet për çdo lloj presioni apo abuzimi. “Pra, nëse dikush ju kërkon që të blejë votën tuaj, nëse dikush ju bën presion që të votoni në një mënyrë të caktuar, nëse dikush përpiqet t ju frikësojë duke ju kërcënuar me vendin e punës apo mirëqenien e familjes suaj, nëse dikush ju kërkon që ju të fotografoni fletën e votimit që ai ta dijë se si ju votuat, nëse dikush përpiqet që të ndryshojë një pasaportë apo të shpërndajë karta të falsifikuara që të votojë shumë herë, nëse policia apo zyrtar tjetër shfaq anshmëri në çfarëdolloj mënyre, nëse dikush përpiqet që të vërë dorë mbi kutitë e votimit apo të prekë procesin e numërimit, ju lutem dijeni që të gjitha këto veprime janë të paligjshme dhe raportojini ato tek vëzhguesit. Ju kërkojmë që të dini gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe SHBA, do të jetë duke ju vëzhguar”, - theksoi ai. Praktikat manipuluese nuk duhet të kenë më vend në botën e sotme, pohoi ambasadori amerikan. Vota, u shpreh Uidhers është e shenjtë prandaj nuk duhet lejuar askush që ta marrë atë. “Amerika është në krahun tuaj, Amerika ju mbështet. Votoni në paqe, në liri dhe pa frikë”, - përfundoi ai.
Ky lajm është publikuar: 25/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›