E Diel, 1 Nëntor 2026

Stojku: “Votoni nr.19, pasi më keni votuar mua”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
INTERVISTA

Kandidati i Partisë Demokristiane dhe i koalicionit “Poli i Lirisë” në qarkun e Dibrës, mjeku Edmond Stojku, ka deklaruar në një intervistë për Ballkan se dibranët duke votuar për numrin 19 në fletën e votimit, votojnë Edmond Stojkun, votojnë PDK-në dhe koalicionin e qendrës së djathtë “Polin e Lirisë”. Stojku ka theksuar se, nëse ai do të jetë pjesë e Parlamentit të ardhshëm, do të jetë i vetmi deputet që do të përfaqësoj realisht zonën e Dibrës. Ai ka premtuar se do të punojë siç ka punuar këto 20 vjet për mjekësinë dhe qytetarët. Stojku ka shpjeguar dhe arsyet se përse do të jetë fitues në qarkun e Dibrës, pasi, sipas tij, vendi ka nevojë për breza të rinj politikanësh, zëra të rinj në politikë, mentalitete evropiane të qeverisjes dhe përfaqësimin real të shoqërisë.

Zoti Stojku, në profesionin tuaj si mjek, por dhe në postet drejtuese brenda sistemit të shëndetësisë ju është dashur të tregoni humanizmin e bluzës dhe në fakt jeni ndër të paktët që e keni bërë një gjë të tillë. A mund të na flisni për sfidën tuaj të drejtimit dhe meritën që keni në thellimin e reformave në fushën e shëndetësisë?

Në një punë, pavarësisht profesionit, sidomos në mjekësi, duhet të karakterizohesh nga përgjegjshmëria për detyrën që mban. Unë gjithnjë jam mundur të jap maksimumin kudo që kam qenë jo vetëm për realizimin e reformave, por dhe për të qenë sa më pranë qytetarëve. Jam ndier gjithnjë i obliguar ndaj tyre, duke pasur besimin qytetar në radhë të parë, por dhe politik në radhë të dytë. Më duhet të ndalem te sfida më e madhe, jo vetëm imja, por edhe e forcës politike në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Para një viti kam mbajtur postin e drejtorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë për një vit e gjysmë. Ishte një detyrë e rëndësishme, por dhe e vështirë. Fakti që vinim nga profesione të lira afër shtresave sociale në nevojë dhe pikërisht për këtë nuk ishim megalomanë që të mos merrnim në konsideratë pikërisht këto shtresa ishte një avantazh për ne. Realisht, PDK-ja ishte një alternativë qeverisëse administrative dhe jo sunduese ose udhëheqëse. Ne ishim kujdesur shumë kohë me parë për kompletimin teknik dhe profesional të stafit të ri. Grupi i drejtimit plotësonte elementet e ngritjes profesionale. Ishin pra këto elemente të sjelljes politike dhe sociale të drejtimit teknik profesional dhe administrativ që ndryshuan plotësisht fytyrën e shëndetësisë shqiptare. Pra, më duhet të theksoj se këto elemente ishin pjesë përbërëse stafit të kryesuar nga ministri Ndoka. Puna ishte kolegjiale, korrekte dhe me produkt të dukshëm edhe nga institucionet ndërkombëtare në vend. Në bashkëpunim me ta ne miratuam, me specifikat e sistemit tonë, strategjinë kombëtare të shëndetësisë (2007-2013), fuqizuam spitalet rajonale, i modernizuam ato, i bëmë autonome dhe njëkohësisht rritëm cilësinë e stafit shëndetësor duke rritur nivelin arsimor profesional. Krijuam për herë të parë planet vjetore, gjashtëmujore, tremujore, mujore, javore dhe në fund orientuam gjithë administratën me plane ditore. Sigurisht që askush nuk mund të mohojë punën që kemi bërë për menaxhimin e situatave dhe punën kolegjiale.

Kandidoni për një vend në Kuvend. Jeni i pari në listën e PDK në qarkun Dibër. Fakti qe jeni djalë zone apo familjarizimi me ta, ju shtyn për të kërkuar votën e dibranëve, bulqizakëve dhe burrelasve në zgjedhjet e 28 Qershorit?

Të dyja kanë lidhje me njëra-tjetrën. E para, sepse kur je dibran të njohin më mirë dhe ke më shumë mundësi të trokasësh derë më derë për të kërkuar të besojnë si përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e ardhshëm. E dyta ka lidhje me të parën, pasi unë kam lindur, jam rritur dhe kam punuar në zonat e Dibrës dhe kam qenë gjithnjë i devotshëm për të qenë sa më pranë tyre, saqë nuk kisha se si mos të familjarizohesha me bashkëpatriotët e mi. Kam 20 vjet që ushtroj profesionin e mjekut dhe jam i bindur se kudo ku kam punuar kam gëzuar respektin dhe dashurinë e kolegëve si dhe të popullatës që i kam shërbyer, jam vërtet krenar të them se në xhepin tim nuk ka hyrë qoftë edhe bakshishi më i vogël para ose pas shërbimit kam zbatuar korrektësisht rregullat e bluzës se bardhë dhe ligjet e shtetit. Kam 5 vjet që angazhohem në politikë me idenë se kontributi në këtë fushë të rëndësishme të jetës mund të jetë më i madh, sepse vendi ka nevojë për breza të rinj politikanësh, zëra të rinj në politikë, mentalitete evropiane të qeverisjes dhe përfaqësimin real të shoqërisë. Kam kandiduar si kandidat i përbashkët i mazhorancës dhe kam marrë dyfishin e votave të marra nga partia në pushtet në atë njësi, shifrat flasin vetë.

Përse vendosët të kandidoni nën siglën politike të PDK pjesë e koalicionit “Poli i Lirisë”?

Vendosa të kandidoj nën logon politike të PDK-së në koalicionin “Poli i Lirisë” në qarkun Dibër, sepse unë jam anëtar i Partisë Demokristiane, anëtar i Kryesisë së kësaj partie, sekretar i Departamentit Shëndetësor si dhe për shumë arsye programore të formimit tim politik ndihem dhe jam pjesë integrale e kësaj strukture. Një nga arsyet madhore të kandidimit në Dibër është historia e vjetër e familjes sime këtu, lidhjet e forta tradicionale prej shekujsh, familjariteti biologjik me komunitetin dhe pozita shoqërore imja këtu shumë komode, jo vetëm nga mënyra e komunikimit tim, por siç e thashë më sipër, nga lidhjet e forta dhe të vërteta të familjes dhe fisit tim të miqësisë dhe shoqërisë së tyre, pra si rezultat i gjithë këtij kohezioni social dhe realiteti pozitiv të komunikimit në vite. Në Parlamentin e ardhshëm e them pa frikë, nëse do të jem atje, unë do të jem përfaqësues real i zonës, sepse në fushatën time kam takuar me mijëra njerëz, kam biseduar me ta dhe kam shtruar alternativat e mia, kam takuar dorë më dorë çdokënd, kam vajtur atje ku bashkëpatriotet e mi jetojnë dhe u kam kërkuar votën gojarisht gjithsecilit prej tyre, pasi kemi folur e diskutuar gjatë i kam falënderuar të gjithë edhe ata që s kanë qenë dakord që të votojnë për ketë alternativë.

Jemi në limitet e fundit të mbylljes së fushatës. Sa keni mundur të njiheni më nga afër me nevojat e banorëve të qarkut ku kandidoni?

Unë nuk kam menduar për Dibër vetëm muajt e fundit, kam shkuar shpesh, pasi më është dashur që të riorganizoj strukturën e PDK-së në bashkëpunim të ngushtë me organet drejtuese të PDK në qark, zotërinjtë Abedin Paci, Sami Bruçi, Kujtim Martani, Lirim Bojdani, Sokol Muho, Festim Xharri etj. Kemi bërë një punë të shkëlqyer dhe mendojmë se rezultatin prej 7% që morën në vitit 2007, ta çojmë në 14%. E besojmë këtë jo vetëm në takimet zgjedhore, por edhe për shkak se tani kemi ngritur një strukturë të plotë zgjedhore në çdo fshat të qarkut. E gjitha kjo strukturë funksionon në fushatë zgjedhore aktivisht, sepse kjo shërben dhe për të informuar për problematikat e zonës dhe zgjidhjet imediate, zgjidhje të cilat ashtu siç i gjykojmë ne kanë nevojë vetëm për një seriozitet administrativ dhe dashamirësi politike për t i zgjidhur ato.

A keni ndonjë mesazh për zgjedhësit, kur kanë mbetur pak ditë nga data e zgjedhjeve?

Dua t u them dibranëve se nuk kam ardhur këtu që të më kthejnë diçka. Unë dua t u vërtetoj edhe një herë që jam dibran jo vetëm se kam lindur aty, por se ndihem i tillë, jam mik dhe shok i tyre si gjithmonë në të mira e në të këqija. Pikërisht për ketë gjë u lutem atyre që më njohin dhe i njoh, që i di dhe më dinë që të përcjellin këtë mesazh njerëzor për mikun dhe shokun e tyre: Votoni PDK, votoni nr.19, se kështu keni votuar Edmond Stojkun.
Ky lajm është publikuar: 25/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›