Vihet në jetë vepra më e madhe infrastrukturore në Ballkan

Kryeministrat Berisha dhe Erdogan përurojnë sot autostradën Durrës-Kukës-Morinë
Sot vihet në jetë projekti më i madh i shqiptarëve, autostrada e kombit Durrës-Kukës-Morinë, 170 km e gjatë. Në prani të një atmosfere të përgatitur më së miri kryeministri Sali Berisha pret sot shiritin e inaugurimit të aortës së kombit, në prani edhe të kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan Kushdo që dëshiron të udhëtojë drejt Kosovës, tashmë duhet të programojë një udhëtim prej vetëm 2 orësh deri në pikën doganore të Qafë Morinë në kufirin Shqipëri-Kosovë, nga dhjetëra orë të mundimshme që shpenzonte deri tani. Hapja e saj zyrtare, aorta e kombit ka marrë formën e një rruge me përmasa evropiane, e cila do të sjellë bashkimin fizik të shqiptarëve.
Me ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, 170 kilometra e gjatë, distanca mes Tiranës me Prishtinën, me dy kalime do të shkurtohet në 65 kilometra. Nga 330 kilometra që ishte distanca Tiranë- Prishtinë, tashmë ajo do të jetë 265 kilometra dhe më se shumti atë e shkurton tuneli Thirrë- Kalimash, një vepër gjigante e ngritur mes maleve, që tashmë është shndërruar në një aks modern, 5.6 kilometra me dy kalime.
Rruga Durrës-Kukës, urë lidhëse jo vetëm ndërmjet dy vendeve, por edhe në rajon
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim të ngrohtë e miqësor Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. Berisha u shpreh se ndjek me kënaqësi ecurinë e mirë të Kosovës, duke vlerësuar se pavarësia ka prodhuar paqe dhe stabilitet.
Kryeministri Berisha dhe Presidenti Sejdiu shkëmbyen mendime lidhur me thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike, ku të dyja vendet kanë potenciale të mëdha për një bashkëpunim të ngushtë mes tyre.
Në këtë drejtim, kryeministri Berisha dhe Presidenti Sejdiu e cilësuan rrugën Durrës-Kukës një korridor jashtëzakonisht të rëndësishëm si një urë lidhëse që do të nxisë lëvizjen dhe shkëmbimet jo vetëm ndërmjet dy vendeve, por edhe në rajon. Kryeministri Berisha e informoi Presidentin Sejdiu se pak ditë më parë inauguroi edhe rrugën Has-Qafë Prush, që do të ketë gjithashtu një ndikim pozitiv në lehtësimin e lëvizjes mes dy vendeve.
Presidenti Sejdiu i shprehu kryeministrit Berisha vlerësimet dhe konsideratën e tij më të lartë për reformat e suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe progresin që Shqipëria ka bërë gjatë këtyre viteve me anëtarësimin e vendit në NATO, në infrastrukturë, në fushën ekonomike etj.
...