E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosh: “Të mos manipulohet vota e shqiptarëve”

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Prezencës së OSBE në Shqipëri, Robert Bosh, kërkoi dje me forcë që të mos manipulohet vota e shqiptarëve qoftë dhe me forma të ulëta ku përfshihet teknologjia e lartë. “Kërkojmë të mos kemi më histori votimesh familjare apo episode, ku votuesit instruktohen që të përdorin kamera celularësh për të regjistruar votën e tyre, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar”, - paralajmëroi prerë, Bosh. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Prezenca në Shqipëri ka marrë pjesë dje në akreditimin e vëzhguesve të nxjerrjes paralele të rezultateve. Kryetari i prezencës, Robert Bosh, e vlerësoi këtë projekt të nxjerrjes për herë të parë në mënyrë paralele të rezultateve të zgjedhjeve në Shqipëri gjatë zgjedhjeve të së dielës. Për sa u përket zgjedhjeve dhe Policisë së Shtetit, Bosh theksoi se “mezi presim t i shohim sërish që ajo të luajë të njëjtin rol të paanshëm dhe profesional në ditën e zgjedhjeve, që e luajti kaq mirë në zgjedhjet për pushtetin vendor të 2007-ës”. Bosh konsideroi se puna e policisë deri të dielën dhe në vetë ditën e zgjedhjeve do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për ndërtimin dhe ruajtjen e besimit të publikut në procesin e zgjedhjeve. “Policia, jo vetëm që do t i përmbushë standardet e larta që arriti rreth dy vjet më parë, por ditën e diel do ta rrisë edhe më shumë nivelin e saj të suksesit”, - shprehu sigurinë ai. Për sa u përket partive politike, Bosh tha se ato duhet të jenë të ndërgjegjshme për faktin se kanë një rol kyç për të luajtur për të garantuar që e diela të jetë një sukses i jashtëzakonshëm dhe që shqiptarët të mund të marrin pjesë më në fund në zgjedhje që ata i meritojnë, zgjedhje që plotësojnë standardet ndërkombëtare. “E pra, le të mos ketë më probleme, të mos ketë më justifikime, e as shfajësime për dështimet e së kaluarës. Kësaj radhe, këto zgjedhje do të duhet të funksionojnë. Kjo do të thotë që dialogu publik të mbetet i qetë dhe i arsyeshëm dhe shqiptarëve t u lejohet të votojnë për kë duan”, - paralajmëroi Bosh. Në përfundim, ai lëshoi një mesazh kuptimplotë ndaj qytetarëve shqiptarë: “Do të inkurajoja gjithë qytetarët që ta shijojnë të dielën, sepse ditët e zgjedhjeve – si në shumicën e demokracive – shihen si festivale të demokracisë , që do të thotë: hidheni votën tuaj! Le të mos harrojmë se zgjedhjet bëhen për popullin dhe se ato nuk janë pronë personale e partive politike. Gjithë shqiptarët duhet të ndihen të sigurt se të dielën ata do të jenë dëshmitarë të një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”, - përfundoi ai.

Ky lajm është publikuar: 25/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›