E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia, “atdheu stërvitor” i Kombëtares

Antalia do të jetë rezidenca dimërore e përfaqësueses “junior”. Trajneri Josip Kuzhe do të testojë kandidatë të rinj kuqezinj

Antalia e Turqisë do të shndërrohet sërish në “rezidencën dimërore” të ekipit Kombëtar shqiptar të futbollit, një vend shumë i dashur për Shqipërinë, pasi aty është regjistruar fitorja më e thellë në një miqësore në transfertë e një trajneri shqiptar, më atë 4-1 të realizuar nga Astrit Hafizi, më 21 janar të vitit 1998. Në fakt, Antalia turistike (me diell të ngrohtë në janar) është gjithmonë në axhendën stërvitore të Kombëtares B të përbërë kryesisht me lojtarë që luajnë në kampionatin shqiptar, një traditë që ka filluar qysh me trajnerin gjerman Hans Peter Brigel e vazhduar më pas me kroatin Oto Bariç, holandezin Ari Han, ndërkohë që radha tani i takon kroatit Josip Kuzhe. Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, ndodhet prej disa ditësh në Tiranë, së fundi asistoi në ndeshjen Tirana-Lushnja për Kupën e Shqipërisë të zhvilluar në “Selman Stërmasi”. Ndryshe nga paraardhësit e tij, Kuzhe, e ka shfaqur veten si një njohës të mirë të kampionatit shqiptar, pasi të paktën kroati mund të ketë ndjekur në stadiumet e Superligës mbi dhjetë ndeshje. Lista do të përbëhet nga lojtarë të rinj të Kombëtares A, por edhe nga më të spikaturit e ekipit Kombëtar U-21, por dhe disa nga lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar (deri në moshën 25 vjeç).
Zbori i Antalias do të nisë, më 4 janar 2010 dhe do të zgjasë 10 ditë, ku janë paraparë dhe zhvillimin e disa ndeshjeve testuese, nisur dhe nga fakti se në atë kohë komplekset hoteliere në rajonin turistik turk bujten nga shumë ekipe europiane.

NDESHJA E FUNDIT
Ndeshja e fundit e Kombëtares (B) në zborin e Antalias i përket trajnerit Ari Han, një miqësore me skuadrën nga Kazikastani, Kazaskin të mbyllur në barazim 2-2 (dy gola të Migen Memellit për kuqezinjtë) në janar 2008. Pas grumbullimit në Antalia të kryer nën drejtimin e Oto Bariçit (20-28 janar 2007) “plakushi” zbuloi sulmuesin Migen Memelli (në atë kohë luante me Gais në Suedi) dhe mbrojtësin Blerim Rrustemi (Borusia Munshengladbah II).

TALENTET, GRUMBULLIMI NË GREQI
Në fakt, Antalia nuk do të jetë “fusha” e vetme e grumbullimeve të ekipeve Kombëtare, pasi në Greqi pritet të zhvillohet një tjetër zbor fubollistik, i organizuar nga zyra e talenteve të Federatës Shqiptare në në Greqi me drejtues Vangjel Çavon. Grumbullimi do të nisë, më 21-23 dhjetor dhe në të do të thirren vetëm futbollistët e datëlindjes 1994-1995, pra të moshës 15-16 vjeçarë, apo U-17. Dy trajnerët e U-15 dhe U-17, Sulejman Demollari dhe Ardian Mema, do të jenë specialistët e FSHF-së në grumbullimin e parë në Greqi, për të spikatur elementët e duhur që mund të përfshihen direkt në përfaqësueset e moshave të Shqipërisë. Lojtari i fundit që ka ardhur në Kombëtaren shqiptare U-21, si zbulimi i Zyrës së Talenteve në Greqi, është talenti i Olimpiakosit, Vasil Shkurtaj (i aktivizuar në ndeshjen kundër Bjellorusisë U-21).

11 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›