Kryeministri Berisha: Reformat në drejtësi, themelore për pavarësinë, transparencën dhe miradministrimin e sistemit të drejtësisë
Kryeministri Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar vlerësoi vullnetin e deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës për të proceduar me reformat në fushën e drejtësisë dhe fusha të tjera. Kryeministri i cilësoi reformat në sistemin e drejtësisë si reforma themelore për çdo shtet, të cilat kanë të bëjnë me pavarësinë e këtij sistemi, transparencën dhe miradministrimin e tij.
Duke vlerësuar hapin e bërë, me ligjin e organizmit të drejtësisë, Kryeministri u shpreh se ky ligj u jep një përgjigje të përshtatshme problemeve të ndryshme.
“Një hap shumë i madh është bërë me ligjin e organizmit të drejtësisë, i cili siç faktohet në raportin e Komisionit Evropian, është një ligj që u jep përgjigje të përshtatshme, problemeve më madhore me të cilat përballej ky sistem.”
Kryeministri theksoi se në proces e sipër të reformimit janë institucioni i prokurorisë, administrimi i gjykatave dhe profesionet e lira, përmbarimi, si dhe institucione të tjera, të cilat duhet të vendosin në bazën e tyre legjislacionin e standardeve më të mira.
“Është e domosdoshme që një legjislacion i standardeve më të mira të vendoset mbi bazën e këtyre institucioneve, legjislacion që ka dy qëllime themelore, të konsolidojë pavarësinë e tyre, ti bëjë ato më transparente ndaj publikut në të gjithë veprimtarinë e tyre dhe më të përgjegjshme.”
Ndër të tjera kryeministri vlerësoi si një arritjet më themelore në 16 vite, votën e deputetëve të parlamentit për të përmbysur murin e imunitetit. “Përmbysja e murit të imunitetit i bën nder këtij parlamenti, i bën një nder të madh çdo deputeti , çdo politikani. Kjo shënon realisht një kapitull të ri në përpjekjet e këtij vendi për transparencë, përgjegjshmëri ligjore, barazi para ligjit, jo vetëm të politikaneve, por të të gjithë imunitarëve.”
Kryeministri theksoi se imuniteti për korrupsionin dhe krimin e zakonshëm nuk duhet të ekzistojë për asnjë person në Republikën e Shqipërisë, i çfarëdo rangu apo pushteti qoftë ai. “Nuk bëjmë gjë tjetër këtu vetëm se instalojmë një model që demokracia më e konsoliduar dhe me e madhe në botë e ka instaluar 200 vjet më parë në kushtetuan e vet. Jemi të hapur absolutisht për të gjitha mendimet e opozitës, si dhe për të gjitha mendimet e grupeve të interesit dhe të gjitha institucionet e tjera , të cilat kanë bërë punë serioze në këtë drejtim, natyrisht lokomotiva e reformave është ligjvënësi, është parlamenti dhe çdokush tjetër do të ketë të qartë se reformat legjislative janë atribut pothuajse i lindur i parlamenti, i cili merr mendimet e të gjitha institucioneve dhe të grupeve të interesit.” tha Kryeministri.