E Diel, 1 Nëntor 2026

Tjetër turpërim i femrave, Bosnja i shkatërron 99:48

Eliminatoret

Kombëtarja e femrave të basketbollit vazhdon të “koleksionojë” turpërime të njëpasnjëshme në eliminatoret e Europianit 2011. Në ndeshjen e tretë të Grupit B në Divizionin B, vajzat kuqezi janë shkatërruar me rezultatin 99:48 nga Bosnjë-Hercegovina, në fushën kundërshtare. Në disfatën me 51 pikë diferencë, skuadra e drejtuar nga zv.trajnerja Fiorentina Mitku (pas largimit mes polemikave të Viron Toskës), tregoi se nuk ka alternativa të vlefshme në kontingjent. Kjo duket qartë në faktin se nga 48 pikët e shënuara, plot 42 prej tyre u realizuan vetëm nga tri lojtare: Hoxhaj (15), Aliaj (15) dhe Elmazi (12). Në dy ndeshjet e mëparshme, përfaqësuesja shqiptare e basketbollit të femrave kishte humbur me rezultatin 127:33 në fushën e Estonisë, ndërsa më 7 gusht ato u mposhtën me shifrat 88:44 nga Luksemburgu në Tiranë. Shqipëria renditet e fundit në grup, ndërsa është skuadra e vetme që ende nuk e ka shijuar fitoren.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›