E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brenda 2009-s drejt Kroacisë pa viza

11/02/2009  Kryeministri Sali Berisha takime të rëndësishme me krerët e shtetit kroat

Kroacia dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë për ndërtimin e centralit bërthamor

Ergys GJENÇAJ

Shqiptarët do të mund të udhëtojnë drejtë Kroacisë pa pasur nevojë për vizë. Kjo do të realizohet brenda këtij viti dhe është pohuar nga Kryeministri Sali Berisha dhe ai kroat Ivo Sanader. Pas takimit që krerët e dy qeverive zhvilluan në Zagreb, është rënë dakord që të punohet për të arritur liberalizimin e plotë të vizave mes dy vendeve. Berisha dhe Sanader nënvizuan angazhimin e plotë për arritjen e një marrëveshjeje për heqjen e vizave midis Shqipërisë dhe Kroacisë. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp Kryeministri Berisha deklaroi marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy vendeve në të gjitha fushat. Dy personalitetet vlerësuan përpjekjet e mëdha të përbashkëta të Shqipërisë dhe Kroacisë për t’u bërë pjesë e NATO-s, duke theksuar se tashmë integrimi i plotë në Aleancë nuk është një ëndërr, por një realitet i afërt i dy kombeve. Krerët e qeverive kanë diskutuar mbi çështje të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik dhe u ra dakord që dy vendet të bashkëpunojnë për shtrirjen e gazsjellësit Trans Adriatik në të gjithë rajonin nëpërmjet Malit të Zi, deri në Kroaci. “Dua të veçoj bisedimet që patëm për çështjen e energjisë. E informova kryeministrin Sanader mbi ecurinë e bisedimeve të mia për gazsjellësin e TAP dhe për rezultatet qartësisht pozitive të tyre. Edhe gjatë vizitës sime në SHBA kërkova ndihmën e sekretares së Shtetit Hilari Klinton dhe ajo shfaqi interes për këtë projekt. Me zotin Sanader vendosëm të lobojmë së bashku për këtë projekt madhor”, - u shpreh Kryeministri Berisha gjatë konferencës për shtyp. Gjithashtu ai theksoi se kishin diskutuar edhe për gjetjen e mundësive të bashkëpunimit në projektin e energjisë nukleare. Kryeministri shqiptar u shpreh se bashkë me homologun e tij kroat u vendos të punohet bashkërisht edhe me vende të tjera të rajonit, si Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, për të ndërtuar një central të përbashkët nuklear.

Kryeministri Berisha ka pasur një takim të veçantë edhe me Presidentin kroat Stipe Mesiç, në të cilin u konfirmua vullneti i duhur nga të dyja palët për bashkëpunim të ngushtë politik, ekonomik dhe në shumë fusha të tjera. Nga ana e tij kreu i shtetit kroat informoi se pala kroate po punon për përfundimin e autostradës trans-adriatike si një urë lidhëse midis Europës dhe Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Berisha u shpreh se do të intensifikohet më tej bashkëpunimi në fushën e turizmit dhe të ekonomisë, duke theksuar faktin se Shqipëria ka krijuar kushte shumë të favorshme për investitorët kroat, duke nënvizuar uljen e taksave dhe krijimin e një klime tepër të favorshme për biznesin. Kreu i qeverisë shqiptare ka pasur një takim edhe me Kryetarin e Parlamentit kroat Luka Bebiç, i cili u shpreh i impresionuar dhe tha se ndiente admirim nga suksesi i reformave dhe progresi i Shqipërisë në këta katër vjet, gjë që e kishte konstatuar gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë. Bebiç shprehu kënaqësinë që projekti i përbashkët i Kroacisë dhe Shqipërisë: integrimi në NATO, po përmbyllet me sukses. Kryeministri Berisha u shpreh se e shihte me interes integrimin e Kroacisë në BE jo vetëm për vetë Kroacinë, por për të gjithë rajonin.

Marrëveshjet

Qeveria shqiptare dhe ajo kroate kanë nënshkruar 4 marrëveshje dypalëshe me karakter ekonomik dhe diplomatik. Përfaqësues të dy qeverive kanë nënshkruan protokollin shtesë mbi amendimin e marrëveshjes për inkurajimin e mbrojtjes reciproke të investimeve, marrëveshjen mbi amendimin e marrëveshjes së marrëdhënieve dypalëshe ekonomike. Po ashtu u nënshkrua edhe marrëveshja për punësimin e anëtarëve të familjeve të trupit diplomatik dhe posteve konsullore, e nënshkruar nga sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare dhe sekretari i përgjithshëm e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kroacisë, si dhe protokolli midis Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kroacisë dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë mbi riatdhesimin e personave me qëndrim të paligjshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›