E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refleksione përtej ngjarjes…



Eva LONDO

Atentatet që kanë ndodhur rëndom ndaj personaliteteve të jetës publike, natyrisht janë krime të rënda dhe të shëmtuara, që fatkeqësisht na mbajnë të ngërthyer në një vorbull konstante kriminaliteti. Këto ngjarje, përveçse na bëjnë të pasigurt për jetën tonë si qytetar, dëmtojnë rëndë imazhin e shtetit në sytë e opinionit publik ndërkombëtar. Për më tepër, kur kjo dorë kriminale drejtohet ndaj drejtësisë, natyrisht ndien distancën që ekziston mes realitetit dhe integrimit europian, duke patur parasysh që drejtësia përbën një prej kushteve për të arritur aty.
Informimi im mbi këtë ngjarje pati një perceptim tjetër nga ai që forcat politike, mazhoritare dhe opozitare, tentojnë të emetojnë. Në kësi lloj ngjarjesh, ato rendin me të drejtë, të marrin apo të shkarkojnë përgjegjësi, duke e parë gjithmonë në aspektin e kredive të veta politike. Partia Demokratike rend të tregojë angazhimin e vet për gjetjen e autorëve të krimit, duke demonstruar mobilizim dhe koordinim të punës së instancave të saj. Natyrisht, që kjo është mënyra më e drejtë që një shtet të tregojë se interesohet për jetën e individëve të vet, gjë që duhet të ndodhë pavarësisht pozicioneve publike që ata mbajnë. Nga ana tjetër, Partia Socialiste vendos theksin në pasigurinë që ka zaptuar jetën sociale në këtë vend, duke ia atribuuar këtë qeverisjes aktuale. Megjithatë, të gjitha forcat politike e kanë dënuar krimin e dy ditëve më parë ndaj njërit prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë si krim ndaj Drejtësisë dhe në aspektin personal, sikurse të gjithë ne, njerëzit me mish dhe ndjenja, solidarizohen dhe qëndrojnë në krah të dhimbjes së individit të dëmtuar dhe të afërmve të tij.
Por, përtej këtij peizazhi politik që tentohet të paraqitet shpesh në ngjarje të tilla, perceptimi im u përqendrua në një analizë të një lloji tjetër, që lidhet me fenomenin përtej një ngjarjeje të rëndomtë. Shoqatat që mbrojnë të drejtat e individit vlerësuan pozicionin publik të z. Nuni si një arsye për atentatin e kryer ndaj tij; duke konsideruar këtë akt kriminal si një presion që i bëhet jo vetëm individëve të veçantë, por edhe gjykatave në tërësi, që, sipas Kushtetutës së RSH-së, janë të pavarura”. Po sipas Kushtetutës, “çdo individ është i barabartë përpara ligjit”, që godasin mbrojtësit e Drejtësisë, por a ndodh vërtet kështu?.
Drejtësia e sistemit të drejtësisë përbën një pikë shumë delikate. Ndonjëherë, pasiguria për drejtësinë që japin gjykatat bëhet precedent për vetëgjyqësi. Megjithë natyrën gjaknxehtë të mesdhetarit, ku shqiptarët janë përfaqësues shumë tipikë, mungesa e drejtësisë detyron shumë njerëz të krijojnë hasmëri për ca m2 tokë apo për një vijë uji, çka ka përfunduar edhe me vendime ekstreme të marrjes së jetës. Megjithëse këto janë metoda tribale të vendosjes së Drejtësisë, krime të këtij lloji po mbushin kronikat e zeza të mediave, duke anashkaluar Drejtësinë. Apo mos ndoshta vetë drejtësia anashkalohet pikërisht si pasojë e mungesës së besimit që kanë njerëzit ndaj saj?.
Pavarësisht historikut të tij penal, autori i këtij krimi do të mbartë gjithë jetën etiketën e kriminelit, që lëkund sigurinë e jetëve tona. Por, kryesore është se këto evenimente duhet t’i bëjnë apel qeverisë dhe insitucioneve për të parë brenda sistemit të Drejtësisë dhe funksionalitetit të tij.
Kam njerëz të afërt, që prej shumë vitesh përballen me çështje gjyqësore të gjata dhe të pafundme, që injorojnë realitetin dhe që paraqesin elementë të pastër të konfliktit të interesave, pasi palët direkte në konflik kanë suport fisnor me përfaqësues të Drejtësisë. Dhe mbi këtë bazë ndërtohet një kalvar i gjatë sorrollatjesh nëpër shkallë Gjyqësori, procese civile dhe penale (falsifikime) çka ka nxjerrë në pah elementë të korrupsionit dhe abuzimit që përfaqësues të Gjyqësorit bëjnë me postin e tyre zyrtar. Dhe, megjithë zhargonin klishe se Drejtësia është kokëfortë, dhe sikur shumë çështje të mos mbështeteshin në fakte dhe dokumente po aq kokëfortë, jetët e më shumë njerëzve do të vareshin nga një goditje çekiçi të gjyqtarit që sinjalizon një vendim ndonjëherë nepotik. Ka raste kur shumë vendime të Gjyqësosit ndikojnë padrejtësisht mbi punën, pronën, jetën e individëve dhe mbi gjithçka tjetër të shenjtë, ku njerëz të thjeshtë kanë bazuar jetesën e tyre. Duket si një Drejtësi e padrejtë që rëndon padrejtësisht në jetën sociale të të gjithëve, që na mban të ngërthyer nga korrupsioni, nga kriminaliteti, regresi dhe shumë vese jointegruese.
Ngjarja e tri ditëve më parë mund të jetë shkaktuar nga një individ i rëndomtë me precedentë penalë, që mund të ketë lidhje me pozitën e të dëmtuarit si anëtar i Gjykatës së Lartë (objekt hetimi), dhe nuk mund të mohoj faktin se me të dëgjuar lajmin në çast mendova pikërisht këtë; se ky krim mund të ketë një prapaskenë të thellë, mund të ishte një reagim gjaknxehtë për një drejtësi të munguar. Kjo, në fakt, evidenton edhe një problem tjetër që duhet të hulumtojë shteti, përpos elementit kriminal. Do të doja të kisha besim në drejtësinë që japin institucionet e Drejtësisë në Shqipëri, por rastet e dëgjuara apo të jetuara ende më bëjnë të pashpresë dhe skeptike mbi reformat që po ndërmerren. Këto të fundit dëgjohen më shumë me zhurmë se sa ç’kanë përmbajtje. Gjatë eksperiencës sime si zëdhënëse e prokurorit të Përgjithshëm kam njohur shumë prokurorë e gjyqtarë të përkushtuar, të ndershëm dhe të moralshëm dhe që emetojnë besim që në staturën e tyre, kategori në të cilën fus edhe z. Nuni. Por gjatë përjetimeve personale me zyrat e Drejtësisë kam njohur një fytyrë gërricëse, cinike dhe të ashpër të saj, ku korrupsioni sfidon akoma dhe faktet, ku favorizohet nepotizmi për interesa politike apo personale, ku përkrahet konflikti i interesave duke abuzuar me postet publike etj. Dhe çdo rast dhune që drejtohet ndaj sistemit të Drejtësisë mund të jetë pasojë e këtyre arsyeve, që, në fakt, duhet të përbëjë një sinjal shqetësues për qeverinë.
Duke shprehur frikë për jetët e tyre, gjyqtarët ngritën zërin duke reaguar ndaj ngjarjeve të këtilla dhe duke kërkuar mbrojtjen e shtetit, protektorit të tyre. Në kushte të barabarta, çdo qytetar i thjeshtë, kur evidenton se i cenohet e drejta e tij, i drejtohet protektorit të vet, drejtësisë, dhe nën këtë tagër përfaqësuesit e Drejtësisë duhet të veprojnë si mbrojtës të së drejtës. Në të kundërt, ku duhet të drejtohen qytetarët për të gjetur drejtësinë?... Megjithëse dora e krimit është vrastare dhe rëndon mbi gjithë sistemin social, dora e Drejtësisë ndërton marrëdhënie të shëndetshme të individit në çdo shoqëri demokratike.

11 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›